Teksa nesër do të mbahet protesta e radhës kombëtare e opozitës kundër qeverisë, Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave për mbarëvajtjen e saj.
Në protestën e fundit, policia e Tiranës nuk mori përsipër tubimin, teksa për nesër, njofton se është në gatishmëri ashtu siç e parashikon dhe ligji për tubimet.
Në njoftimin zyrtar për këtë ngjarje, mësohet se të paktën 1700 efektivë do të jenë të angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe rendin.
Kështu, prej orës 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të ketë bllokime edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Sipas policisë, duke qenë se herët e fundit ka pasur një zhvendosje të protestuesve, mund të ketë kufizime të përkohshme dhe në disa akse të tjera të kryeqytetit.
Për këtë arsye, Policia iu kërkon qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këto akse dhe të përdorin rrugë alternative.
Opozita ka mbajtur disa protesta kombëtare, të cilat kanë shënuar akte dhunë përpara selisë së Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Bomba molotov dhe sende të forta janë hedhur në drejtim të këtyre institucioneve, teksa policia është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të mos lejuar situatën që të precipitojë.
Dhjetëra persona janë shoqëruar në komisariate pas protestave, teksa mes tyre ka pasur dhe të mitur.
Demokratët dhe mbështetësit e tyre kërkojnë largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)