Reagimi i Ambasadës Britanike para votimit për Ballukun: Askush mbi ligjin!

Ambasada nënvizoi rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës dhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor.

12.03.2026. 10:15

Reagimi i Ambasadës Britanike para votimit për Ballukun: Askush mbi ligjin!

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se imuniteti parlamentar nuk duhet të shndërrohet në pengesë për barazinë para ligjit. Ky qëndrim erdhi vetëm pak çaste përpara se Kuvendi të mblidhej për të shqyrtuar dhe për të votuar rreth çështjes së imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.

Në reagimin e saj, ambasada nënvizoi rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës dhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Po ashtu vlerësohet progresi që Shqipëria ka bërë në reformën në drejtësi prej vitit 2016, përfshirë ngritjen dhe funksionimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas Ambasadës Britanike, bashkëpunimi dhe balanca mes pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor janë thelbësore për të mbështetur këtë proces reformash. Këto institucione konsiderohen partnerë të barabartë në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në përfundim të reagimit theksohet se imuniteti nuk duhet të përdoret si një mekanizëm që pengon llogaridhënien e barabartë të kujtdo përpara ligjit.

REAGIMI I PLOTË I AMBASADËS BRITANIKE:

Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut. Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)