Balliu i bashkohet protestës jashtë parlamentit: Bëhuni polici e shtetit, jo pushtetit

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu iu bashkua protestuesve të opozitës para Kuvendit, duke bërë thirrje për reagim kundër qeverisë dhe duke i kërkuar policisë të mos i shërbejë pushtetit politik.

12.03.2026. 11:26

Balliu i bashkohet protestës jashtë parlamentit: Bëhuni polici e shtetit, jo pushtetit

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu iu bashkua protestuesve të opozitës para Kuvendit, duke bërë thirrje për reagim kundër qeverisë dhe duke i kërkuar policisë të mos i shërbejë pushtetit politik.

Balliu ndodhet jashtë sallës së Parlamentit, pasi është përjashtuar për 10 ditë nga seancat plenare me vendim të Sekretariatit të Etikës. Nga protesta para Kuvendit, ai u drejtua me një mesazh edhe efektivëve të policisë, duke i ftuar që të bashkohen me qytetarët.

“Bëhuni polici e shtetit dhe jo polici e pushtetit. Një polici që i shërben hajdutit është polici e pushtetit dhe jo e shtetit”, deklaroi ai para protestuesve.

Deputeti demokrat tha se qytetarët duhet të reagojnë kundër asaj që e cilësoi si një pushtet që, sipas tij, ka dëmtuar vendin për më shumë se një dekadë.

“Shqipëria na thërret të reagojmë kundër një pushteti që për 14 vite largoi 1.4 milionë shqiptarë për të mbushur xhepat me paratë e qytetarëve. Ka vetëm një mënyrë që paratë e qytetarëve të përdoren për qytetarët: të largohet kjo qeveri”, u shpreh Balliu.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, analistë pranë qeverisë po përpiqen të justifikojnë veprime që, sipas opozitës, përbëjnë kërcënim për pavarësinë e drejtësisë dhe sigurinë e dëshmitarëve.

Gjatë fjalës së tij, Balliu deklaroi se opozita do të vazhdojë protestat dhe përballjen politike me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

“Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas derisa drejtësia të fitojë dhe vendi të dalë nga kjo situatë”, tha ai, ndërsa protesta e opozitës vijon para Parlamentit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)