Kushtetuesja për mbylljen e TikTok: Cenoi lirinë e fjalës

Një nga vendimet më të debatuara të qeverisë për mbylljen e TikTok është vlerësuar si problematik nga Kushtetuesja. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se mbyllja e aksesit në platformën TikTok në Shqipëri ka cenuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.

11.03.2026. 14:55

Kushtetuesja për mbylljen e TikTok: Cenoi lirinë e fjalës

Një nga vendimet më të debatuara të qeverisë për mbylljen e TikTok është vlerësuar si problematik nga Kushtetuesja. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se mbyllja e aksesit në platformën TikTok në Shqipëri ka cenuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe BIRN, të cilët kundërshtuan vendimin e Këshillit të Ministrave, që parashikonte masa të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformë me argumentin e shmangies së ndikimeve negative tek të rinjtë.

Fillimisht, gjykata shqyrtoi kërkesën e Këshillit të Ministrave për pushimin e çështjes, pasi vendimi i kontestuar ishte shfuqizuar më vonë. Megjithatë, Kushtetuesja e rrëzoi këtë kërkesë duke argumentuar se çështja paraqet interes publik dhe se shqyrtimi i saj është i nevojshëm për të orientuar veprimtarinë e ardhshme të institucioneve.

Gjykata vlerësoi se vendimi i qeverisë kishte karakter normativ dhe për këtë arsye i nënshtrohej kontrollit kushtetues. Ajo arriti në përfundimin se ndërprerja e aksesit në TikTok përbën një kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit, ndaj duhej analizuar nëse ky kufizim ishte në përputhje me kriteret e nenit 17 të Kushtetutës.

Sipas gjykatës, kriteri i parë, që kufizimi të bëhet “vetëm me ligj”, nuk është përmbushur. Edhe pse disa ligje i japin qeverisë kompetenca rregullatore në fushën e komunikimeve elektronike dhe mbrojtjes së fëmijëve, ato nuk i japin një autorizim të qartë për të bllokuar plotësisht një platformë online për të gjithë përdoruesit në territorin e Shqipërisë.

Në lidhje me interesin publik, gjykata pranoi se qëllimi i qeverisë për të mbrojtur të miturit nga ndikimet negative të platformës ishte një objektiv i rëndësishëm. Sipas saj, mbrojtja e fëmijëve dhe e të rinjve përbën një interes publik me peshë të veçantë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se masa e ndërmarrë nuk ishte proporcionale. Sipas saj, nuk është provuar se bllokimi i plotë i platformës ishte mjeti i vetëm efektiv për të arritur këtë qëllim dhe se nuk mund të përdoreshin masa më të kufizuara.

Gjykata theksoi gjithashtu se fakti që gazetarët mund të përdorin platforma të tjera nuk e justifikon një ndalim të përgjithshëm, pasi TikTok ka karakteristika të veçanta për shpërndarjen e informacionit dhe komunikimin publik.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi me shumicë votash pranimin pjesërisht të kërkesës dhe konstatoi se zbatimi i vendimit të qeverisë ka cenuar lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Megjithatë, kërkesa për shfuqizimin e aktit mbeti pa objekt, pasi ai ishte shfuqizuar më herët me një vendim tjetër të Këshillit të Ministrave në vitin 2026.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)