Misteret e klubit super-ekskluziv në Milano: Tarifa deri në 50 mijë euro, 700 anëtarë në pritje dhe përplasje ligjore

Anëtarët kanë paguar në total një shifër që i tejkalon 10 milionë eurot. Pas hapjes, tarifat vjetore pritej të varionin nga 18 mijë deri në 30 mijë euro. Tani, shumë prej tyre po organizojnë një padi kolektive kundër klubit.

29.04.2026. 21:02

Misteret e klubit super-ekskluziv në Milano: Tarifa deri në 50 mijë euro, 700 anëtarë në pritje dhe përplasje ligjore

Projekti i shumëpërfolur i klubit luksoz “The Core” në Milano rrezikon të mos realizohet kurrë, mes vonesave të gjata, përplasjeve ligjore dhe pakënaqësisë së qindra anëtarëve që kanë paguar shuma të mëdha. Në adresën “Corso Matteotti 14”, në zemër të Milanos një godinë prej rreth 4 mijë metrash katrorë ka mbetur prej shtatë vitesh në ndërtim.

Klubi super-ekskluziv “The Core”, i premtuar si një hapësirë elitare me restorante, teatër, galeri arti dhe ambiente sociale, ende nuk është hapur. Sipas menaxherit të hapësirës, kontrata është zgjidhur për shkak të mosrespektimit të kushteve dhe pritet që së shpejti godina të dalë në treg me njoftimin “Me qira”. Nga ana tjetër, klubi pretendon të kundërtën dhe mban ende aktiv projektin.

Foto: The Core

Rreth 700 anëtarë, mes tyre emra të njohur, kanë paguar tarifa hyrjeje nga 10 mijë deri në 50 mijë euro, me një total që sipas burimeve financiare tejkalon shifrën e 10 milionë eurove. Pas hapjes, tarifat vjetore pritej të varionin nga 18 mijë deri në 30 mijë euro. Tani, shumë prej tyre po organizojnë një padi kolektive kundër klubit.

Pronësia e ndërtesës i përket Provincës Venete të Shërbëtorëve të Marias, e cila në vitin 2019 ia dha me qira kompanisë “Core Milan” me një kontratë afatgjatë deri në 40 vjet. Projekti lidhet me kompanitë Dangene dhe Jennie Enterprise, një emër që ka dalë edhe në dokumentet amerikane të rastit Jeffrey Epstein-Maxwell.

Foto: The Core

Ndërkohë, konkurrenca në qytet është rritur, me hapjen e klubeve elitare si “Casa Cipriani” dhe “The Wilde”, si edhe me pritjen për ardhjen e “Soho House”. Në verën e vitit 2025, në projekt hyri kompania Reinvest, e cila mori përsipër zhvillimin e përbashkët me Core LLC. Sipas Reinvest, detyrimet financiare dhe garancitë mbi 10 milionë euro nuk janë përmbushur, ndaj kontrata konsiderohet e prishur.

Nga ana tjetër, Core LLC pretendon se ka investuar mbi 10 milionë euro dhe se projekti mbetet në fuqi, me hapjen e planifikuar për pranverën e vitit 2027. Deri atëherë, për anëtarët ofrohen aktivitete të përkohshme dhe akses në klubin e tyre në New York. Për momentin, në Milano mbetet një kantier i hapur, dokumente gjyqësore dhe shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e një prej projekteve më ambicioze të luksit në qytet.

Foto: The Core

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)