“Rama po bllokon integrimin në BE”, akuza e Berishës: Po shkatërron shtetin ligjor

Lideri i opozitës përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, duke e vendosur theksin te korrupsioni dhe përpjekja për të kontrolluar drejtësinë për të mbrojtur pushtetin.

11.03.2026. 14:38

“Rama po bllokon integrimin në BE”, akuza e Berishës: Po shkatërron shtetin ligjor

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po e largon Shqipërinë nga rruga e integrimit europian, duke shkatërruar shtetin ligjor. Në një deklaratë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ai theksoi se qeveria po minon themelet e drejtësisë dhe institucioneve.

Kryedemokrati u shpreh se komuniteti ndërkombëtar ka theksuar qartë se respektimi i shtetit ligjor është kushti kryesor për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së. Sipas tij, pa një sistem të fortë ligjor dhe pa funksionimin e drejtësisë, procesi i integrimit nuk mund të ecë përpara.

“Vetëm Enver Hoxha ishte i aftë të merrte çdo vendim për të ruajtur pushtetin e tij. Pasi ka vjedhur miliarda, Edi Rama tani zhduk Kushtetutën, shtetin ligjor dhe shkatërron drejtësinë për të mbrojtur lëkurën e tij. Komuniteti ndërkombëtar ka folur shumë qartë. Për një seri vendesh të BE-së, shteti ligjor është kushti kryesor që Shqipëria të ecë në rrugën e integrimit. Pa shtet ligjor nuk ka proces të integrimit”, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, duke e akuzuar për korrupsion dhe përpjekje për të kontrolluar drejtësinë për të mbrojtur pushtetin. Ai tha se vendi po përballet me një situatë shumë të vështirë dhe se këto zhvillime, e dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë.

“Duan që shqiptarëve t’u mbyllen dyert e integrimit në BE. Është moment jashtëzakonisht kritik. Këto akte e përçudnojnë vendin, sa askush s’merr përsipër që të na ndihmojnë. Tregjet e basteve merren me parashikime nëse Rama do të bjerë këtë vit apo jo. Çdo shqiptar mund ta imagjinojë se ku jemi katandisur”, tha Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)