Gazetaria sportive shqiptare është në zi. Mbrëmjen e 20 dhjetorit u nda nga jeta, në moshën 91-vjeçare, Ismet Bellova. Ai ishte një prej figurave më të shquara të medias dhe zëri legjendar i komentimit të ndeshjeve të futbollit në “Radio Tirana”.
Për dekada me radhë, Ismet Bellova u bë shoqëruesi i pandarë i tifozëve shqiptarë përmes mikrofonit, duke përcjellë me pasion, profesionalizëm dhe ndjenjë të thellë atdhedashurie emocionet e sportit. Zëri i tij i fuqishëm dhe timbri i veçantë u shndërruan në simbol të transmetimeve sportive, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e publikut.
Me ndarjen e tij nga jeta, sporti dhe media shqiptare humbin jo vetëm një komentator të jashtëzakonshëm, por edhe një publicist të rrallë dhe një shkollë të vërtetë gazetarie sportive, nga e cila u formuan dhe u frymëzuan breza të tërë gazetarësh. Trashëgimia e Ismet Bellovës do të mbetet e gjallë në kujtimet e miliona dëgjuesve, që u rritën duke ndjekur emocionet e futbollit përmes zërit të tij të paharruar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)