Gol në minutën e 95-të, historia e jashtëzakonshme e futbollistit që luan me një sy

Kupa e Afrikës/ Protagonist ishte Georgi Minoungou që ndihmon Burkina Faso-n të arrinte suksesin përballë Guinesë Ekuatoriale.

26.12.2025. 16:42

Gol në minutën e 95-të, historia e jashtëzakonshme e futbollistit që luan me një sy

Një nga historitë më emocionuese të Kupës së Afrikës erdhi nga ndeshja e çmendur mes Burkina Fasos dhe Guinesë Ekuatoriale. Në minutën e 95-të, goli i barazimit 1-1 u shënua nga Georgi Minoungou, ndërsa Burkina Faso arriti më pas fitoren dramatike në minutën e 98-të.

Ajo që e bën historinë e Minoungou edhe më të veçantë është fakti se futbollisti është i verbër nga syri i majtë. Dy vite më parë, gjatë një grumbullimi stërvitor në Marbella të Spanjës, ai pësoi një infeksion serioz, i cili i shkaktoi humbjen e plotë të shikimit në njërin sy.

Pavarësisht kësaj, Minoungou nuk u dorëzua kurrë dhe vazhdoi karrierën në futbollin profesionist. “Kam vetëm një sy, por mund të bëj më mirë se ata që kanë dy. Ky është mentaliteti im”, ka deklaruar ai.

Në sezonin e fundit të MLS-së, Minoungou regjistroi 1 gol dhe 4 asist me Seattle Sounders, paraqitje që i siguroi edhe ftesën për këtë edicion të Kupës së Afrikës. Goli i shënuar ndaj Guinesë Ekuatoriale ishte vendimtar për rikthimin e ekipit në lojë. Me një sy, por me vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm, Georgi Minoungou po shkruan një histori frymëzuese që shkon përtej futbollit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)