Kupa e Afrikës, Egjipti dhe Nigeria kualifikohen në çerekfinale

Yasser Ibrahim dhe Salah nderojnë “faraonët” në kohën shtesë, gjithçka e lehtë për “super shqiponjat”.

05.01.2026. 22:38

Kupa e Afrikës, Egjipti dhe Nigeria kualifikohen në çerekfinale

Egjipti dhe Nigeria festuan kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Afrikës. “Faraonët” siguruan vazhdimin e rrugëtimit, pasi mposhtën Beninin me rezultatin 3-1 vetëm në kohën shtesë. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, ku avantazhit të egjiptianëve me Ateya në minutën e 69-të, Benini iu përgjigj në të 83-ën me Dossou.

Në shtesë, Egjipti bëri diferencën: Yasser Ibrahim shënoi në minutën e 97-të, ndërsa Mohamed Salah vulosi fitoren me golin e tretë në minutën e 124-t. Në anën tjetër, gjithçka ishte e lehtë për Nigerinë, e cila dominoi Mozambikun.

“Super Shqiponjat” fituan me rezultatin e pastër 4-0, të udhëhequr nga yjet e repartit ofensiv. Ademola Lookman hapi serinë e golave në minutën e 20-të të pjesës së parë, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Victor Osimhen dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë, Lookman u shndërrua në asistues, duke i shërbyer fillimisht Osimhen-it dhe më pas Akor Adams-it, për dy golat që mbyllën përfundimisht ndeshjen.

Me këtë fitore, Nigeria kalon në çerekfinale, ku do të përballet me fituesen e sfidës mes Algjerisë dhe Republikës Demokratike të Kongos, që do të luhet këtë të martë në orën 17:00.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)