Goditje 75 milionë euro në merkato, Manchester City prezanton Semenyon

Sulmuesi i përfaqësueses së Ganës u ble nga Bournemouth. Do të mbajë numrin 42 në fanellë me “citizens”.

09.01.2026. 19:14

Goditje 75 milionë euro në merkato, Manchester City prezanton Semenyon

Manchester City zyrtarizoi transferimin e Antoine Semenyo, sulmuesit 26-vjeçar që u transferua nga Bournemouth. Kampionët e Anglisë kanë paguar klauzolën e shitjes së lojtarit, me vlerë rreth 75 milionë euro, duke fituar garën me gjysmën e skuadrave të Premier League, mes të cilave ishte edhe Liverpool.

Mes klubeve të tjera të mëdha, që interesoheshin për shërbimet e sulmuesit ishin edhe Manchester United, Tottenham dhe Chelsea. Megjithatë, vendosmëria e klubit dhe e ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola, bën që City ta mbyllë shpejt marrëveshjen.

Semenyo ka firmosur kontratë 5-vjeçare me Manchester City dhe do të mbajë numrin 42 në fanellë. Aty do të luajë përkrah yjeve të mëdhenj dhe do të jetë partner sulmi me Erling Haaland. Edhe pse ka lindur në Londër, ai aktivizohet me kombëtaren e Ganës, vendi i origjinës së babait të tij.

Në janar të vitit 2023, Semenyo ishte transferuar nga Bristol City te Bournemouth për afro 11 milionë euro. Paraqitjet e tij të mira dhe rritja e vazhdueshme në Premier League e shndërruan në një prej sulmuesve më të kërkuar në merkato në kampionatin anglez.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)