Kjo e dielë i takon futbollit dhe kryeqyteti do të mbajë frymën, pasi në orën 16:30 luhet në stadiumin “Air Albania”, derbi mes Partizanit dhe Tiranës.
Në kuadër të mbarëvajtjes së rendit dhe sigurisë, policia ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për zhvillimin e kësaj ndeshje, e cila bëhet edhe më e rëndësishme duke marrë parasysh formën e mire që dy ekipet kanë shfaqur në ndeshjet e fundit.
Masat synojnë garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes. Për këtë arsye, nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen disa segmente rrugore, përfshirë Sheshi Nënë Tereza, rrugët “Lekë Dukagjini”, “Dervish Hima” dhe zonat përreth stadiumit.
Autoritetet kanë përcaktuar gjithashtu itinerare të posaçme për lëvizjen e tifozëve, me qëllim shmangien e përplasjeve dhe grumbullimeve jashtë zonave të miratuara. Tifozët do të shoqërohen nga policia përgjatë këtyre rrugëkalimeve dhe nuk do të lejohen devijime nga itineraret e caktuara.
Në hyrje të stadiumit do të kryhen kontrolle të rrepta për sende të ndaluara, si mjete të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e një prindi ose kujdestari ligjor.
Po ashtu, hyrja do t’u ndalohet personave të identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive. Policia u bën thirrje tifozëve dhe qytetarëve të respektojnë masat e sigurisë dhe të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara gjatë orareve të përcaktuara.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)