Habit kreu i UEFA: Me futjen e VAR-it edhe unë nuk e kuptoj ndonjëherë kur është penallti

Kreu i futbollit europian kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e vendimeve të VAR-it në disa ndeshje.

Burimi: The score

24.04.2026. 20:31

Habit kreu i UEFA: Me futjen e VAR-it edhe unë nuk e kuptoj ndonjëherë kur është penallti

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si po interpretohen rregullat e futbollit pas përdorimit të teknologjisë VAR, duke theksuar se shpesh edhe vetë ai e ka të vështirë t’i kuptojë vendimet.

Gjatë një konference në Madrid, Ceferin u ndal veçanërisht te rastet e prekjes së topit me dorë, duke thënë se ka shumë paqartësi.

“Ndonjëherë as tifozët nuk i kuptojnë interpretimet e rregullave. Edhe unë shpesh nuk i kuptoj. Për shembull, rasti i penalltive për prekje me dorë, askush nuk e di saktësisht kur është dhe kur jo”, u shpreh ai.

Kreu i futbollit europian kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e vendimeve të VAR-it në disa ndeshje. Sipas tij, ndërhyrjet duhet të bëhen vetëm në raste të qarta gabimesh dhe duhet të jenë të shpejta. Ai përmendi se në disa kampionate, përfshirë Premier League, janë parë raste kur vendimet zgjasin deri në 10-15 minuta.

Ceferin theksoi nevojën për një standard të njëjtë në interpretimin e rregullave në të gjitha ligat europiane. Ai vuri në dukje se arbitrat shpesh gjykojnë ndryshe në kompeticionet ndërkombëtare krahasuar me kampionatet vendase, për shkak të udhëzimeve të ndryshme.

Në fund, ai shtoi se mënyra më e mirë për të shmangur gabimet është respektimi strikt i rregullave të vendosura nga IFAB, institucioni që përcakton ligjet e lojës në futboll.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)