Ivan Balliu ka një “superhero” për shok: Rregulloi portën me ngjitës, më pas priti penallti

Protagonist absolut i takimit ishte portieri Dani Cárdenas, i cili jo vetëm që shpëtoi skuadrën në fushë, por edhe ndërhyri për të rregulluar vetë portën para nisjes së pjesës së dytë.

25.04.2026. 11:00

Ivan Balliu ka një “superhero” për shok: Rregulloi portën me ngjitës, më pas priti penallti

Një episod i pazakontë ka ndodhur në stadiumin “Vallecas” të Madridit gjatë ndeshjes ku Rayo Vallecano e kuqeziut Ivan Balliu fitoi 1-0 përballë Espanyol. Protagonist absolut i takimit ishte portieri Dani Cárdenas, i cili jo vetëm që shpëtoi skuadrën në fushë, por edhe ndërhyri për të rregulluar vetë portën para nisjes së pjesës së dytë.

Në stadiumin e Rayo Vallecanos, i njohur për problemet infrastrukturore, janë regjistruar edhe më parë situata të çuditshme: mungesë tribunash në një krah pas porte, tabelë elektronike jashtë funksionit dhe madje një ndeshje e shtyrë gjatë këtij sezoni për shkak të gjendjes së keqe të fushës.

Rrjeta e dëmtuar, portieri merr situatën në dorë

Në rikthim nga pushimi, gjyqtarja anësore vuri re një vrimë në këndin e djathtë të rrjetës së portës që do të mbronte Cárdenas. Meqë nuk kishte asnjë përgjegjës të klubit pranë për të ndërhyrë, portieri mori vetë iniciativën: pa mjete pune dhe pa shkallë, ai përdori shirit ngjitës, hipi mbi një top dhe arriti ta riparonte rrjetën në kohë rekord.

Nga “teknik riparimesh” në hero të ndeshjes

Cárdenas nuk u ndal vetëm me kaq. Gjatë lojës ai u shndërrua në hero të skuadrës, duke bërë disa pritje vendimtare. Në pjesën e parë ai devijoi një goditje të fortë nga distanca të Edu Expósito, ndërsa në pjesën e dytë priti edhe një penallti të ekzekutuar nga Kike, duke e mbajtur portën të paprekur. Goli i fitores për Rayo Vallecanon u shënua në minutën e 87-të nga Sergi Camello, por vëmendja e gjithë publikut mbeti te portieri. Pas përfundimit të ndeshjes, Cárdenas e komentoi situatën me humor: “Penalltia? Për këtë stërvitem. Gjestin e vërtetë atletik dhe teknik e bëra kur rregullova portën”.

Kush është Dani Cárdenas

Dani Cárdenas, i lindur në vitin 1997 në Tarrassa të Katalonjës, është formuar në akademitë e Espanyol dhe Levante, me një ndalesë të shkurtër edhe te Barcelona. Debutimin si profesionist e bëri në vitin 2016 me Levanten, ndërsa në La Liga u aktivizua për herë të parë në vitin 2020. Në verën e vitit 2023 u transferua te Rayo Vallecano, por deri tani ka pasur pak hapësira. Megjithatë, paraqitja e tij e jashtëzakonshme ndaj Espanyolit mund t’i hapë rrugë një roli më të rëndësishëm në skuadër.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)