Lara Colturi, podiumi i tretë në Botërorin e skive

Skiatorja kuqezi shkëlqen në Shtetet e Bashkuara. U pozicionua e treta në garën e Slalomit, me distancë vetëm 1.85 sekonda nga Mikaela Shiffrin.

30.11.2025. 14:39

Lara Colturi, podiumi i tretë në Botërorin e skive

Start fantastik i Botërorit 2025 të skive për Lara Colturin. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare regjistroi një tjetër rezultat të shkëlqyer, duke u ngjitur për herë të tretë në podium, në katër garat e para të këtij edicioni.

Gjatë Slalomit në Copper Mauntain të Shteteve të Bashkuara, sportistja kuqezi u pozicionua e treta. Colturi kaloi në finish me kohën 1’50”60, ku ishte vetëm 1 sekond e 85 të qindtat më e ngadaltë se skiatorja e famshme amerikane, Mikaela Shiffrin.

Më parë, Lara Colturi ishte pozicionuar e shtata në Slalomin gjigand, konkurrim i cili u zhvillua mes kushteve tejet të rënduara atmosferike. Në garat në Copper Mountain të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, garuan 56 skiatoret më të mira nga 17 vende të botës.

Vendi i tretë në podium për Colturin erdhi pas dy vendeve të dyta në Slalom. Ajo ruan vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine. Skiatorja shqiptare do të provojë të vijojë paraqitjet fantastike gjatë javës së ardhshme, ku do të jetë e angazhuar në Trembland të Kanadasë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)