Seattle Seahawks shpallen kampionë të Super Bowl

Dominuan finalen në “Levi’s Stadium”, duke mundur New England Patriots me rezultatin 29–13, në një ndeshje që pati pak histori që nga çereku i parë.

09.02.2026. 08:59

Seattle Seahawks shpallen kampionë të Super Bowl

Finalja e Super Bowl 2026 përfundoi me një verdikt të qartë: Seattle Seahawks janë kampionët e rinj të futbollit amerikan. Në “Levi’s Stadium”, skuadra nga Seattle dominoi finalen duke mundur New England Patriots me rezultatin 29–13, në një ndeshje që pati pak histori që nga çereku i parë.

Seahawks shfaqën epërsi të plotë taktike dhe fizike, me një mbrojtje të hekurt që neutralizoi çdo përpjekje të Patriots për rikthim në lojë. Presioni konstant dhe kontrolli i ritmit të lojës, i lejuan sulmit të Seattle-it të menaxhonte me qetësi avantazhin deri në fund. Edhe pse Patriots mbërritën në finale me një emër të madh dhe traditë fituese, ata nuk arritën kurrë të vënë realisht në diskutim rezultatin.

Ky sukses shënon një tjetër moment historik për Seahawks, të cilët ngjiten sërish në majën e futbollit amerikan, duke konfirmuar forcën dhe vazhdimësinë e projektit të tyre sportiv në edicionin e 60-të të finales së madhe të Nation Football League.

Nëse në fushë pati vetëm një fitues, shfaqja e pushimit ndezi debat në mbarë Shtetet e Bashkuara. Protagonist ishte Bad Bunny, i sapokurorëzuar fitues i çmimeve Grammy me albumin Debí Tirar Más Fotos. Artisti nga Porto Riko e shndërroi stadiumin në një “casita rosa”, duke përcjellë një mesazh uniteti: “Së bashku jemi Amerika. E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria.”

Në skenë u bashkuan edhe emra të njohur si Lady Gaga, Ricky Martin, Cardi B, Pedro Pascal dhe Jessica Alba, në një festë të kulturës latine që u prit me entuziazëm nga publiku, por që njëkohësisht shkaktoi polemika dhe kritika nga qarqet konservatore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)