“Do të kemi një të ardhme të ndritur”, mbahet takimi Trump-Xi Jinping: Duhet të jemi partnerë e jo rivalë

Takimi Trump–Xi shihet si një moment kyç për ekonominë globale, sigurinë ndërkombëtare dhe balancat gjeopolitike.

Burimi: BBC

14.05.2026. 07:09

“Do të kemi një të ardhme të ndritur”,  mbahet takimi Trump-Xi Jinping: Duhet të jemi partnerë e jo rivalë

Në një nga takimet më të rëndësishme diplomatike të viteve të fundit, presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping zhvilluan një samit historik, i cili u ndoq me  interes të madh nga e gjithë bota.

Gjatë fjalës së tij hapëse, Trump përdori tone jashtëzakonisht miqësore ndaj liderit kinez, duke deklaruar se ishte “një nder” të takohej me Xi. Ai theksoi marrëdhënien personale mes tyre, duke kujtuar se sa herë kishte pasur tensione apo probleme mes dy vendeve, ato ishin zgjidhur përmes komunikimit direkt.

“Ne gjithmonë kemi gjetur mënyrën për t’i zgjidhur shpejt problemet. Është nder të jem me ju, është nder të jem miku juaj,” u shpreh Trump, duke shtuar se marrëdhëniet SHBA-Kinë do të jenë “më të mira se kurrë më parë”.

Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se kishte sjellë në këtë vizitë “liderët më të mirë të biznesit në botë”, duke e cilësuar samitin si “ndoshta takimin më të madh ndonjëherë”.

Nga ana tjetër, Xi Jinping mbajti një fjalim me tone strategjike dhe globale, duke paralajmëruar se bota po kalon një periudhë transformimesh të mëdha dhe pasigurie ndërkombëtare. Ai ngriti pyetjen nëse Kina dhe SHBA mund të shmangin të ashtuquajturën “Kurthi i Tukididit”, teorinë sipas së cilës fuqitë e mëdha përfundojnë në konflikt kur rivalizojnë për dominim global.

“Ne duhet të jemi partnerë dhe jo rivalë. Kina dhe SHBA fitojnë nga bashkëpunimi dhe humbasin nga përballja,” deklaroi Xi.

Lideri kinez shtoi se shpreson që ky takim të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe që viti 2026 të mbetet “një vit historik” për bashkëpunimin mes dy superfuqive.

Takimi Trump–Xi shihet si një moment kyç për ekonominë globale, sigurinë ndërkombëtare dhe balancat gjeopolitike, në një kohë kur tensionet tregtare, teknologjike dhe ushtarake mes SHBA-së dhe Kinës kanë dominuar skenën botërore në vitet e fundit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)