Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kaliforninë, pasi të shtëna me armë janë regjistruar brenda një qendre islamike në San Diego. Sipas policisë lokale, të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Ngjarja ndodhi në lagjen Clairemont, ku dy persona të armatosur dyshohet se hynë në objektin fetar dhe hapën zjarr ndaj besimtarëve të mbledhur në ambientet e qendrës.
Autoritetet kanë bërë me dije se kërcënimi u neutralizua menjëherë nga policia, ndërsa gjatë një deklarate për shtyp u konfirmua se mes viktimave janë tre civilë, përveç dy autorëve të dyshuar. Mediat raportojnë se dy të dyshuarit ishin të moshës 17 dhe 19 vjeç dhe u gjetën të pajetë në një automjet të parkuar pranë qendrës.
Sipas hetimeve paraprake, ata kanë vdekur nga plagë të shkaktuara vetë me armë zjarri. Qendra ku ndodhi sulmi konsiderohet si xhamia më e madhe në qarkun e San Diegos dhe përfshin edhe kompleksin arsimor “Al Rashid School”, ku zhvillohen kurse të gjuhës arabe, studimeve islame dhe Kuranit.
Zyra e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, njoftoi se është informuar për situatën dhe falënderoi ekipet e emergjencës që ndërhynë në kohë. “Jemi mirënjohës ndaj forcave të para në vendngjarje që po punojnë për të mbrojtur komunitetin dhe u kërkojmë të gjithëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin X.
Policia e San Diegos deklaroi se arriti në vendngjarje vetëm katër minuta pas telefonatës së parë emergjente, ndërsa më pas u sinjalizua për të shtëna edhe disa blloqe më larg. Hetimet janë në vijim me asistencën e FBI-së, e cila konfirmoi se po vlerëson situatën dhe po ndihmon në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas incidentit, në New York është rritur niveli i sigurisë në xhami, ku autoritetet kanë vendosur më shumë efektivë policie si masë paraprake, edhe pse nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta. Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është informuar me të dhëna paraprake për sulmin dhe se administrata e tij do të vazhdojë të monitorojë situatën. “Është një situatë e tmerrshme”, është shprehur Trump gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)