Ish-Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, është diagnostikuar me kancer në tiroide pas largimit nga drejtimi i Departamentit të Drejtësisë në SHBA në muajin prill.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Bondi për CNN, ku ajo bëri të ditur se po i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe se disa javë më parë ka kryer edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Ajo deklaroi se ndodhet ende në fazë rikuperimi, por ndihet mirë.
Sipas mediave amerikane, diagnoza u bë publike vetëm pak ditë para dëshmisë së saj të shumëpritur në Kongres lidhur me hetimet për dosjet e Jeffrey Epstein. Bondi pritet të dëshmojë të premten para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve mbi mënyrën si Departamenti i Drejtësisë trajtoi çështjen Epstein gjatë kohës që ajo ishte në detyrë.
Pam Bondi u largua nga posti në fillim të prillit nga presidenti Donald Trump, mes kritikave për menaxhimin e dosjeve Epstein dhe tensioneve të brendshme në administratë. Pas largimit të saj, detyrën e mori përkohësisht Todd Blanche.
Megjithatë, pavarësisht problemeve shëndetësore, Bondi pritet të mbetet aktive në administratën amerikane, pasi mediat raportojnë se ajo do të ketë një rol të ri në Këshillin Presidencial për Shkencën dhe Teknologjinë, me fokus në politikat e inteligjencës artificiale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)