Ish-Zonja e Parë e SHBA, Jill Biden ka zbuluar se gjatë debatit presidencial të vitit 2024 mes bashkëshortit të saj, Joe Biden dhe Donald Trump, ajo pati frikë se presidenti amerikan po pësonte një goditje në tru.
Në një intervistë për CBS News, Jill Biden tha se performanca e Joe Biden gjatë debatit e kishte tronditur thellësisht.
“Nuk e kisha parë kurrë Joe-n në atë gjendje, as më parë dhe as më pas. U tremba shumë. Mendova: ‘O Zot, ai po pëson një goditje në tru’”, deklaroi ajo.
Debati i zhvilluar në qershor 2024 shkaktoi një stuhi reagimesh në SHBA, pasi Joe Biden u shfaq i ngadaltë në përgjigje, humbi disa herë rrjedhën e mendimit dhe kishte vështirësi në komunikim. Në atë kohë, ekipi i tij deklaroi se presidenti ishte i sëmurë dhe kishte probleme me zërin.
Pas debatit, shumë figura të Partisë Demokratike nisën të shprehnin hapur shqetësime për gjendjen fizike dhe mendore të Biden, i cili në atë kohë ishte 81 vjeç.
Megjithatë, fillimisht Shtëpia e Bardhë dhe stafi i fushatës këmbëngulën se Biden nuk do të tërhiqej nga gara presidenciale. Vetë Jill Biden doli në skenë pas debatit dhe e përgëzoi bashkëshortin para mbështetësve duke thënë: “Joe, bëre një punë fantastike”.
Por presioni brenda Partisë Demokratike u shtua javë pas jave, sidomos pas gafave të tjera publike gjatë samitit të NATO-s dhe problemeve shëndetësore pas infektimit me Covid-19.
Në fund, Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale dhe mbështeti kandidaturën e zv.presidentes Kamala Harris, e cila mori drejtimin e fushatës demokrate vetëm pak muaj para zgjedhjeve, por humbi ndaj Donald Trump.
Në librin e saj të publikuar pas zgjedhjeve, Kamala Harris kritikoi vendimin e Biden për të kandiduar për një mandat të dytë, duke e cilësuar atë si “pakujdesi politike”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)