Tensionet në Lindjen e Mesme po rikthejnë pasigurinë në tregjet globale të energjisë, pasi sulmet e reja amerikane ndaj objektivave iraniane shkaktuan një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës. Frika për një përshkallëzim të konfliktit pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, po shton presionin mbi ekonominë globale.
Çmimi global i naftës Brent u rrit me 3.75%, duke arritur në 97.83 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u ngjit me 4% në 92.22 dollarë për fuçi.
Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se forcat amerikane goditën një bazë ushtarake iraniane në Bandar Abbas, qytet strategjik portual në jug të Iranit. Sipas Centcom, u rrëzuan gjithashtu katër dronë iranianë që “paraqisnin kërcënim për sigurinë rreth Ngushticës së Hormuzit”.
Sulmet ndodhën pavarësisht armëpushimit të shpallur mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa palët po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit që prej muajsh ka destabilizuar rajonin dhe ka penguar qarkullimin normal në Ngushticën e Hormuzit.
Rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kalon përmes kësaj rruge ujore strategjike, duke e bërë çdo tension në zonë një faktor të drejtpërdrejtë për çmimet ndërkombëtare të energjisë.
Pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, Teherani paralajmëroi se mund të godiste anijet që kalojnë nëpër Hormuz. Që nga ajo periudhë, tregjet e energjisë kanë pësuar luhatje të forta, me naftën Brent që për një periudhë të shkurtër arriti deri në 120 dollarë për fuçi. Para konfliktit, çmimi luhatej rreth 70 dollarëve.
Ditët e fundit kishte shenja stabilizimi në tregje, pasi investitorët shpresonin në një marrëveshje për rihapjen e plotë të ngushticës. Megjithatë, sulmet e reja amerikane kanë rikthyer frikën për përshkallëzim të situatës.
Sipas Centcom, objektivat e sulmuara përfshinin pozicione raketore iraniane dhe mjete detare që dyshohej se po vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit. Uashingtoni tha se operacionet u kryen “në vetëmbrojtje” për të mbrojtur trupat amerikane në rajon.
Nga ana tjetër, Irani i cilësoi sulmet si “shkelje serioze të armëpushimit” dhe paralajmëroi se “asnjë akt armiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se kishte interceptuar “kërcënime armiqësore me raketa dhe dronë”, pa dhënë detaje shtesë mbi origjinën apo objektivat e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)