Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish pas një serie sulmesh dhe kundërsulmesh ushtarake në rajonin strategjik të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe Axios, ushtria amerikane kreu një sulm ndaj një objekti ushtarak iranian pranë qytetit portual Bandar Abbas, pasi forcat iraniane të Pasdaranëve dyshohet se kishin lëshuar 4 dronë drejt një anijeje tregtare amerikane në zonë.
Burime ushtarake amerikane deklaruan se dronët u neutralizuan nga forcat e Komandës Qendrore të SHBA, ndërsa më pas u godit një stacion kontrolli tokësor iranian që, sipas tyre, po përgatitej të lëshonte një dron të pestë.
Zyrtarët amerikanë e cilësuan operacionin si “veprim mbrojtës” me qëllim ruajtjen e armëpushimit dhe sigurisë në rajon. Sipas raportimeve, gjatë operacionit mund të jetë shënjestruar edhe komandanti i ri i marinës së Pasdaranëve, gjeneral brigade Ali Azmaei.
Pas sulmit amerikan, Irani reagoi menjëherë me kundërsulme. Mediat iraniane raportuan se forcat e Pasdaranëve goditën një bazë ajrore amerikane, megjithëse nuk është bërë publike vendndodhja e saj.
Në të njëjtën kohë, Irani rifilloi sulmet me raketa dhe dronë ndaj vendeve të Gjirit Persik, veçanërisht ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvajtit.
Autoritetet në Kuvajt aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore dhe u bënë thirrje qytetarëve të strehohen në vende të sigurta, pasi u raportuan “sulme armiqësore me raketa dhe dronë”. Ushtria kuvajtiane deklaroi se shpërthimet e dëgjuara në disa zona ishin rezultat i interceptimit të sulmeve.
Ndërkohë, situata u tensionua edhe në Ngushticën e Hormuzit, ku 4 anije që po tentonin të kalonin zonën me radarët e fikur u ndaluan nga motovedetat e Pasdaranëve. Sipas mediave iraniane, anijet nuk iu bindën paralajmërimeve fillestare, çka çoi në hapjen e zjarrit nga forcat iraniane.
Pasdaranët paralajmëruan se çdo agresion i mëtejshëm ndaj Iranit do të marrë “një përgjigje të ashpër”, ndërsa rajoni mbetet në alarm për një përshkallëzim të mundshëm më të gjerë të konfliktit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)