Humor me luftën në Ukrainë, komediani rus dënohet me afro gjashtë vjet burg

Artemy Ostanin u shpall gjithashtu fajtor për fyerjen e ndjenjave fetare të të krishterëve, për shkak të një tjetër humori që lidhej me Jezu Krishtin.

05.02.2026. 16:16

Humor me luftën në Ukrainë, komediani rus dënohet me afro gjashtë vjet burg

Një komedian rus është dënuar me gati gjashtë vjet burg, pasi u shpall fajtor për nxitje të urrejtjes. Shkak u bë një shaka që bëri për një veteran lufte pa këmbë, episode që shkaktoi reagime të ashpra nga qarqet nacionaliste në Rusi, por edhe në ushtri.

Sipas raportimeve nga salla e gjyqit, komediani Artemy Ostanin u dënua me pesë vjet e nëntë muaj burg, si dhe me një gjobë prej 300 mijë rublash ruse (rreth 3,900 dollarë amerikanë). Ky vendim është pjesë e një serie dënimesh të ashpra ndaj personave, që autoritetet ruse i konsiderojnë se kanë folur në mënyrë fyese ose kanë shpërndarë informacion të rremë për ushtrinë ruse, në një kohë kur ajo është e përfshirë në luftën në Ukrainë.

Ostanin u shpall gjithashtu fajtor për fyerjen e ndjenjave fetare të të krishterëve, për shkak të një tjetër humori që lidhej me Jezu Krishtin. Edhe ai episod shkaktoi zemërim tek grupet nacionaliste ortodokse. Komediani kishte kërkuar ndjesë ndaj kujtdo që ishte ndjerë i fyer, por mohoi çdo shkelje ligjore.

Artisti deklaroi se shakaja për veteranin nuk përmendte konfliktin në Ukrainë. Gjatë procesit gjyqësor, ai tha se arrestimi dhe trajtimi i tij përbënin ndëshkim të mjaftueshëm. Rusia miratoi ligje të gjera censurimi në vitin 2022, menjëherë pas nisjes së luftës në Ukrainë. Që prej asaj kohe, figura dhe organizata pro-Kremlinit kanë denoncuar publikisht persona të dyshuar për shkelje të këtyre ligjeve, duke i raportuar ata pranë autoriteteve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)