Rusia ka kryer sulme masive nga ajri ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke goditur objektet e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, ka bërë të ditur Kievi zyrtar. Presidenti Volodimir Zelenski deklaroi se në sulm u përdorën mbi 400 dronë dhe rreth 40 raketa të llojeve të ndryshme, të cilat kishin në shënjestër rrjetin elektroenergjetik, termocentralet dhe nënstacionet e shpërndarjes.
“Çdo ditë Rusia mund të zgjedhë diplomacinë e vërtetë, por ajo zgjedh sulme të reja”, shkroi Zelenski në platformën X, duke theksuar se Moska po përdor të ftohtin si armë kundër Ukrainës. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Rusia dhe Ukraina të gjejnë një zgjidhje për përfundimin e luftës para verës dhe kanë propozuar një raund të ri bisedimesh në Miami javën e ardhshme, propozim që Kievi e ka pranuar.
Sulmet vijnë vetëm pak ditë pas përfundimit të bisedimeve dyditore për paqen në Abu Dhabi, të ndërmjetësuara nga SHBA, të cilat nuk sollën përparim të dukshëm. Ministri ukrainas i Energjisë, Denis Shmihal, njoftoi se janë goditur dy termocentrale në perëndim të vendit dhe elementë kyç të sistemit të shpërndarjes së energjisë. “Punonjësit e energjisë janë gati të fillojnë riparimet sapo ta lejojë situata e sigurisë”, tha ai.
Ndërkohë, temperaturat pritet të bien deri në -14 gradë celsius, duke përkeqësuar situatën për miliona qytetarë që përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë. Qeveria ukrainase ka kërkuar import urgjent të energjisë nga Polonia.
Nga ana tjetër, Ukraina ka kryer gjithashtu një sulm me dronë në territorin rus, duke goditur një impiant që prodhon komponentë për karburantin e raketave Kh-55 dhe Kh-101, ku sipas burimeve shpërtheu edhe zjarr.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)