Ritëm i lartë dhe tension deri në sekondat e fundit prodhoi derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos, i cili u mbyll në barazim 1-1, duke lënë të dy skuadrat me nga një pikë.
Tirana e nisi përballjen në mënyrë perfekte, duke gjetur avantazhin që në sekondën e 40-të të ndeshjes, ndërsa bardheblutë patën mundësinë ta dyfishonin shpejt rezultatin. Në minutën e 17-të, Dejvi Bregu humbi një penallti të fituar nga vetë ai, duke i dhënë Dinamos një frymëmarrje në momentin më delikat.
Situata u komplikua edhe më shumë për blutë, të cilët në minutën e 35-të mbetën me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Gudiabit, pas një përplasjeje në mesfushë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Tiranën.
Megjithatë, edhe me një lojtar më pak, Dinamo tregoi karakter në pjesën e dytë dhe në minutën e 81-të, 19-vjeçari Mustafa Koma realizoi golin e barazimit. Fitorja në vitin 2026 mbetet ende tabu për ekipin e Ilir Dajës, ndërsa Tirana u mjaftua me vetëm një pikë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)