Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë me rezultatin 3-1, duke i marrë shkodranëve vendin e parë.
Sfida e zhvilluar në “Elbasan Arena” nisi me përpjekje nga të dyja skuadrat, por vendasit arritën të gjenin avantazhin në minutën e 22-të me golin e Tsague, pas një pasigurie në mbrojtjen e Vllaznisë. Më pas ishte Lajthia ai që dyfishoi shifrat në minutën e 39-të me një goditje me kokë, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-0 për Elbasanin.
Në pjesën e dytë, Vllaznia reagoi duke u hedhur në sulm dhe arriti të ngushtojë diferencën në minutën e 73-të me golin e Qatos. Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, Lajthia realizoi golin e tretë për Elbasanin, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1 dhe duke shuar shpresat e shkodranëve për rikthim.
Pas ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe rezultatin e arritur. “Djemtë e meritonin fitoren. Ishim të ekuilibruar në mbrojtje dhe shumë agresivë në sulm”, deklaroi ai, duke shtuar se ekipi është në një gjendje të mirë psikologjike në këtë fazë të kampionatit.
Ai theksoi se, megjithëse Elbasani kryeson renditjen, gara mbetet e hapur deri në fund. “Kemi dy pikë më shumë dhe janë edhe tre javë, por nuk vendoset asgjë. ‘Final 4’ do të jetë vendimtare”, u shpreh trajneri.
Gvozdenoviç shtoi gjithashtu se kalendari i mbetur nuk është aspak i lehtë dhe skuadra duhet të luftojë fort në çdo ndeshje. “Nuk kemi presion, por kemi përgjegjësi të madhe për të ruajtur këtë ritëm deri në fund”, përfundoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)