Zgjerohen hetimet për arbitrat në Itali, ku tre emra të rinj janë shtuar në listën e të dyshuarve për mashtrim sportiv, duke e çuar në pesë numrin e personave të identifikuar deri tani.
Sipas mediave italiane, nën hetim janë vendosur Daniele Paterna, Luigi Nasca dhe Rodolfo Di Vuolo, të gjithë të përfshirë në rolin e VAR-it apo ndihmësit VAR në disa ndeshje të diskutueshme të kampionatit. Hetimet lidhen me disa episode të dyshimta në takime si Udinese-Parma dhe Inter-Verona.
Rasti i Paternës lidhet me një penallti të dhënë në ndeshjen Udinese-Parma, ku ai fillimisht nuk ishte i bindur për ndërhyrjen, por më pas ndryshoi qëndrim dhe kërkoi rishikim të aksionit nga arbitri kryesor. Dyshimet janë se vendimi mund të jetë ndikuar nga faktorë të jashtëm, ndërsa ai është përfshirë në hetim edhe për deklarime të rreme.
Ndërkohë, Luigi Nasca po hetohet për vendime të diskutueshme në ndeshjet Salernitana-Modena dhe Inter-Verona, ku përfshihet edhe një episod i debatueshëm me lojtarët Bastoni dhe Duda. Edhe Rodolfo Di Vuolo, që ishte ndihmës VAR në këtë ndeshje, është përfshirë në hetim, megjithëse avokati i tij pretendon se çështja mund të mbyllet për mungesë provash.
Prokuroria e Milanos vijon hetimet në një klimë tensioni, ndërsa priten zhvillime të reja, sidomos me marrjen në pyetje të zyrtarëve të lartë të arbitrazhit në ditët në vijim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)