Qeveria e Qipros ka mohuar zyrtarisht raportimet për lëshim raketash në drejtim të territorit të saj, pas pretendimeve të mëhershme nga burime britanike të mbrojtjes.
Zëdhënësi i qeverisë qipriote, Konstantinos Letymbiotis, deklaroi se nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se janë lëshuar raketa drejt vendit. “Në lidhje me deklaratat dhe publikimet që i referohen lëshimit të raketave në drejtim të Qipros, sqarohet se kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë indikacion për kërcënim ndaj vendit”, u shpreh ai.
Sipas tij, autoritetet kompetente po monitorojnë nga afër situatën në rajon, ndërsa theksoi se nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Më herët, burime britanike të mbrojtjes kishin bërë të ditur se dy raketa iraniane ishin lëshuar në drejtim të Qipros, ku ndodhen edhe baza ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, autoritetet në Nikozia kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke kërkuar shmangien e panikut dhe përhapjes së informacioneve të pakonfirmuara.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa vendet e rajonit janë në gatishmëri të shtuar për shkak të zhvillimeve të fundit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)