Shefi i NATO-s, Mark Rutte, thotë se opsioni për aktivizimin e ‘Nenit 5’ nuk është në tryezën e diskutimeve, një ditë pasi mbrojtja ajrore e aleancës rrëzoi një raketë balistike të nisur nga Irani, mbi hapësirën ajrore të Turqisë.
Rutte tha se incidenti ishte serioz, por "askush nuk po flet për Nenin 5", ndërkohë që Teherani ka mohuar se e ka lëshuar raketën drejt Turqisë.
Rutte shtoi se NATO mbështet sulmin e SHBA-ve që synon aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, pasi vendi ishte "afër shndërrimit në një kërcënim edhe për Evropën".
Ditën e djeshme një raketë balistike e lëshuar nga Irani në drejtim të hapësirës ajrore turke u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes raketore të NATO-s.
Autoritetet turke thanë se raketa e përmasave të mëdha kaloi Sirinë dhe Irakun dhe u asgjësua nga mbrojtja e aleancës së atlantikut verior në lindje të detit Mesdhe. Ministria turke e Mbrojtjes tha në një deklaratë se nuk pati viktima ose të lënduar në incident, duke shtuar se Turqia rezervon të drejtën për t'iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor kundër saj.
"Një raketë balistike, e lëshuar nga Irani dhe e zbuluar duke u drejtuar drejt hapësirës ajrore turke, pasi kaloi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, u neutralizua menjëherë nga mbrojtjet raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor. Çdo hap i ndërmarrë për të mbrojtur territorin dhe hapësirën ajrore tonë do të jetë vendimtar dhe pa hezitim. Ju kujtojmë se rezervojmë të drejtën për t'iu përgjigjur çdo qëndrimi armiqësor ndaj vendit tonë”, thuhej në reagim.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, patën gjithashtu një bisedë telefonike të mërkurën në lidhje me këtë çështje, teksa Turqia thërriti dhe ambasadorin iranian për sqarime.
Burimet jo zyrtare nga Ankaraja, që citojnë një ushtarak turk, bëjnë me dije se raketa e nisur kishte si destinacion bazën ushtarake Suda, në Qipro, por ajo kishte devijuar gjatë rrugës.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura në Iran kanë përgënjeshtruar lajmet se raketa e tyre kishte si objektiv Turqinë. “Ne e respektojmë integritetin territorial të Turqisë, është një vend mik dhe fqinj”, shkruhet në reagimin e ushtrisë iraniane.
Incidenti i djeshëm shënoi herën e parë që Turqia, një anëtare e aleancës ushtarake, u përfshi në konfliktin e Lindjes së Mesme dhe ngriti mundësinë e një zgjerimi të madh që përfshinte aleatët e saj të bllokut.
Sa i përket Nenit 5 të NATO-s, ai përcakton se nëse një aleat përballet me një sulm të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)