Krizë në Marinën Mbretërore, Britania ngelet me 5 fregata në shërbim, del nga përdorimi HMS Iron Duke

HMS Iron Duke do të dalë përfundimisht nga shërbimi për shkak të problemeve të vazhdueshme teknike, pavarësisht një riparimi që kushtoi rreth 103 milionë paund vetëm tre vite më parë. Anija kishte shfaqur defekte që prej vitit 2017.

Burimi: Daily Mail

05.05.2026. 14:45

Krizë në Marinën Mbretërore, Britania ngelet me 5 fregata në shërbim, del nga përdorimi HMS Iron Duke

Kriza në Marinën Mbretërore britanike po thellohet, pasi një tjetër anije luftarake është nxjerrë jashtë përdorimit, duke e çuar në vetëm pesë numrin e fregatave aktive për mbrojtjen e vendit.

Bëhet fjalë për HMS Iron Duke, e cila do të dalë përfundimisht nga shërbimi për shkak të problemeve të vazhdueshme teknike, pavarësisht një riparimi që kushtoi rreth 103 milionë paund vetëm tre vite më parë. Anija kishte shfaqur defekte që prej vitit 2017, ndërsa përpjekjet për ta rikthyer në funksion kanë konsumuar mbi 1.7 milionë orë pune.

Vendimi për tërheqjen e saj vjen në një moment shqetësues për kapacitetet mbrojtëse të Mbretërisë së Bashkuar. Vetë autoritetet konfirmojnë se kjo lëvizje është pjesë e planit për zëvendësimin e fregatave të vjetra të tipit 23 me modele më moderne si Tipi 26 dhe Tipi 31, të cilat pritet të hyjnë në shërbim në vitet e ardhshme.

Megjithatë, vonesat në këto programe po rrisin frikën për një boshllëk të rrezikshëm në aftësitë detare. Aktualisht, disa nga anijet ekzistuese po përdoren si “burim pjesësh këmbimi”, ndërsa të tjera përballen me defekte të shpeshta. Së fundmi, edhe luftëanija HMS Dragon u detyrua të ndërpresë misionin për riparime emergjente.

Situata ka nxitur kritika të forta nga ekspertët dhe zyrtarët. Ish-gjenerali Richard Barrons paralajmëroi se ushtria britanike nuk ka fonde të mjaftueshme për të blerë armë të reja deri në vitin 2030, ndërsa investimet në mbrojtje, sipas tij, kanë shkuar prapa.

Edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ka bërë thirrje për një rritje urgjente të investimeve në forcat e armatosura. Kritika të ngjashme janë shprehur edhe nga këshilltarja e politikës së jashtme Fiona Hill, e cila ka theksuar mungesën e urgjencës në përgatitjen e vendit për skenarë konflikti.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se vendimet për daljen nga shërbimi të anijeve janë pjesë e një planifikimi të vazhdueshëm, duke balancuar nevojat operacionale me buxhetin në dispozicion.

Ndërkohë, autoritetet britanike premtojnë ndërtimin e një “marine hibride”, ku anijet tradicionale do të bashkëpunojnë me mjete autonome dhe nëndetëse moderne. Por deri në realizimin e këtij vizioni, ekspertët paralajmërojnë se kapacitetet aktuale mbrojtëse mbeten të kufizuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)