Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka atakuar drejtpërdrejtë Presidentin amerikan Donald Trump në përgjigjen e tij të parë zyrtare ndaj protestave 13-ditore në vend. Pasi deklaroi se Irani nuk do të tërhiqet përballë protestuesve, të cilët i përshkroi si "sabotatorë dhe vandalë", ai i bëri thirrje presidentit amerikan që "të përqendrohet në problemet e vendit të tij".
“Duart e Trump janë të njollosura me gjakun e më shumë se 1,000 iranianëve", tha ai në mesazhin e transmetuar në televizionin shtetëror iranian, duke përdorur një referencë për luftën 12-ditore që shpërtheu në qershor me Izraelin , gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara nisën sulme kundër territorit iranian.
Khamenei në vijim e quajti Trumpit, “presidenti arrogant amerikan” dhe tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë “do të rrëzohet". Duke u kthyer te tema e protestave, ai tha se "disa kanë dalë në rrugë për të falënderuar presidentin e një vendi tjetër", duke nënkuptuar Trumpin.
Ndërkohë, ndërprerja e internetit që ndodhi për herë të parë në Iran të enjten është zgjatur, sipas organizatës joqeveritare të monitorimit të sigurisë kibernetike Netblocks.
“Irani tani ka qenë jashtë linje për 12 orë, në një përpjekje për të shtypur lëvizjen e protestës”, vuri në dukje OJQ-ja në llogarinë e saj në platformën X.
Demonstratat në Iran filluan në Teheran me shitësit në Pazarin e Madh që protestonin për zhvlerësimin e ndjeshëm të monedhës kombëtare. Tani, ato janë përhapur në qytete të tjera iraniane dhe po përfshijnë njerëz nga prejardhje të ndryshme, kryesisht të rinj.
Këto janë protestat më të mëdha në Iran që nga vdekja e Mahsa Amini në vitin 2022, pas arrestimit të saj nga policia e moralit. Autoritetet iraniane thonë se protestat për situatën ekonomike janë legjitime dhe do të adresohen përmes dialogut, por ato po përdorin gjithashtu gaz lotsjellës për t'u përballur me disa protestues mes trazirave dhe përleshjeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)