“Po i vini flakën rajonit”, Erdogan dënon sulmin ndaj Iranit dhe ofrohet për pajtim me SHBA-të

Presidenti turk tregoi se vendi i tij është gati të ndërmarrë një iniciativë diplomatike për të ulur SHBA-në, Iranin dhe Izraelin në tryezën e negociatave, në mënyrë që të ketë deeskalim.

Burimi: Daily Sabah

28.02.2026. 19:07

“Po i vini flakën rajonit”, Erdogan dënon sulmin ndaj Iranit dhe ofrohet për pajtim me SHBA-të

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka dënuar sulmin e SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, duke shprehur mosmiratimin e tij për operacionin “Ulërima e Luanit”, dhe duke theksuar rëndësinë e respektimit të sovranitetit kombëtar dhe ruajtjes së stabilitetit rajonal.

Në të njëjtën kohë, Erdogan deklaroi se Turqia është e gatshme të ndërmarrë iniciativa diplomatike për të ulur tensionet.

“Jemi thellësisht të trishtuar dhe të shqetësuar për sulmet SHBA-Izrael ndaj fqinjit tonë, Iranit, të cilat filluan me provokimet e Netanjahut. Për një kohë të gjatë, kemi bërë përpjekje të mëdha për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut në tryezën e negociatave. Na vjen thellësisht keq për sulmet e këtij mëngjesi, të cilat shkelin qartë sovranitetin e Iranit dhe kërcënojnë paqen e popullit mik dhe vëllazëror iranian", tha ai.

Më tej, Erdogan shtoi se rajoni rrezikon të zhytet në një rreth zjarri nëse nuk mbizotëron arsyeja e shëndoshë për t’i dhënë fund luftës. Lideri turk po ashtu dënoi edhe kundërpërgjigjen e Iranit, i cili lëshoi raketa drejt vendeve të Gjirit.

“Ne gjithashtu i konsiderojmë sulmet me raketa dhe dronë të Iranit kundër vendeve tona vëllazërore në Gjirin Persik të papranueshme, cilado qoftë arsyeja. Rezultati i dëshiruar nuk u arrit sepse kriza e besimit midis palëve nuk u kapërcye dhe përpjekjet e Izraelit për të sabotuar procesin vazhduan. Nëse nuk mbizotëron arsyeja e shëndoshë dhe nëse nuk hapet hapësira për diplomaci, rajoni ynë rrezikon të tërhiqet në një rreth zjarri. Për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme dhe vuajtje më të mëdha në rajonin tonë, të gjithë aktorët, veçanërisht ata në botën islame, duhet të veprojnë urgjentisht. Me një politikë që i jep përparësi sigurisë së vendit dhe kombit tonë, shpresojmë ta menaxhojmë me sukses këtë proces të ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, ne do të përshpejtojmë përpjekjet tona diplomatike për të arritur së pari një armëpushim dhe më pas për t'u kthyer në tryezën e negociatave”, theksoi Erdogan.

Më tej ai nënvizoi se nuk ka asnjë problem sa i përket sigurisë së kufijve dhe hapësirës ajrore turke.

“Ushtria, xhandarmëria, policia dhe shërbimet tona të inteligjencës po marrin të gjitha masat e nevojshme në nivelin më të lartë. Si Turqi, ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë, po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të zgjidhur problemet në mënyrë paqësore. 28 shkurti la pas një grumbull të madh rrënojash. Shkaktoi trauma serioze në një nivel ekonomik, shoqëror dhe individual”, deklaroi lideri turk.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)