Konflikti në Lindjen e Mesme është zgjeruar në ditën e gjashtë të tij, teksa ka përfshirë edhe Azerbajxhanin. Qeveria në Baku bën me dije se dronët iranianë kanë goditur mëngjesin e sotëm vendin.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit dy civilë janë plagosur nga sulmi me dron iranianë.
“Një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit në Republikën Autonome të Nakhçivanit, ndërsa një dron tjetër ra pranë një shkolle në fshatin Shakarabad", thotë ministria.
Sulmi me dron ka dëmtuar aeroporti dhe ka lënë të plagosur dy civilë, duke bërë që Azerbajxhani të thërrasë me urgjencë ambasadorin iranian në Baku për të kërkuar shpjegime.
“Një protestë e fortë do t'i përcillet palës iraniane dhe do të paraqitet një notë përkatëse proteste", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Videot nga zona tregojnë shkëndija dhe shpërthime në zonën e aeroportit, ndërsa përdoruesit e mediave sociale raportojnë se zona është shënjestruar në mes të luftës në Lindjen e Mesme. Në kohën e sulmit, mbi 50 avionë fluturonin mbi hapësirën ajrore të Azerbajxhanit, megjithëse siç tregon harta, avionët ishin larg aeroportit të Nakhichevanit që u godit.
Ministria e Jashtme i dënoi sulmet, duke i quajtur ato një "shkelje të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe që kontribuojnë në rritjen e tensioneve në rajon".
Azerbajxhani po kërkon një shpjegim dhe hetim të qartë nga Irani, duke bërë thirrje për masa për të siguruar që sulme të ngjashme të mos përsëriten, ndërsa paralajmëron se ka të drejtë të marrë kundërmasa të përshtatshme.
Nakhiçevani, një enklavë azerbajxhanase që kufizohet me Iranin, Turqinë dhe Armeninë, zë një pozicion strategjikisht të ndjeshëm në Kaukazin jugor, ndaj sulmi shihet si një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës.
Kujtojmë se ditën e djeshme një raketë balistike e lëshuar nga Irani në drejtim të hapësirës ajrore turke u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes raketore të NATO-s.
Autoritetet turke thanë se raketa e përmasave të mëdha kaloi Sirinë dhe Irakun dhe u asgjësua nga mbrojtja e aleancës së atlantikut verior në lindje të detit Mesdhe. Ministria turke e Mbrojtjes tha në një deklaratë se nuk pati viktima ose të lënduar në incident, duke shtuar se Turqia rezervon të drejtën për t'iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor kundër saj.
"Një raketë balistike, e lëshuar nga Irani dhe e zbuluar duke u drejtuar drejt hapësirës ajrore turke, pasi kaloi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, u neutralizua menjëherë nga mbrojtjet raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor. Çdo hap i ndërmarrë për të mbrojtur territorin dhe hapësirën ajrore tonë do të jetë vendimtar dhe pa hezitim. Ju kujtojmë se rezervojmë të drejtën për t'iu përgjigjur çdo qëndrimi armiqësor ndaj vendit tonë”, thuhej në reagim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)