Lufta me Iranin po i kushton Shteteve të Bashkuara shuma marramendëse dhe po redukton ndjeshëm rezervat e armatimeve të ushtrisë amerikane. Kështu raporton New York Times, duke theksuar se shpenzimet e konfliktit kanë arritur në nivele alarmante, ndërsa stoqet e raketave po pakësohen me shpejtësi.
Sipas gazetës, që nga nisja e luftës më 28 shkurt, SHBA ka përdorur rreth 1,100 raketa të avancuara “stealth” me rreze të gjatë, të projektuara fillimisht për një përballje të mundshme me Kinën. Raporti nënvizon se ky numër është pothuajse i barabartë me sasinë e raketave të këtij tipi që aktualisht kanë mbetur në arsenalin amerikan.
Po ashtu, janë përdorur mbi 1,000 raketa Tomahawk, një shifër që sipas New York Times është rreth 10 herë më e lartë sesa numri i raketave që SHBA blen zakonisht çdo vit. Në listën e municioneve të shpenzuara përfshihen edhe mbi 1,200 raketa mbrojtëse Patriot, me një kosto mbi 4 milionë dollarë secila, si dhe më shumë se 1,000 raketa Precision Strike dhe ATACMS, çka ka çuar rezervat në nivele “shqetësuese”, sipas vlerësimeve të brendshme të Pentagonit dhe disa zyrtarëve të Kongresit.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të japë një vlerësim zyrtar për koston totale të luftës deri tani. Megjithatë, dy grupe të pavarura të cituara nga New York Times vlerësojnë se shpenzimet janë mes 28 dhe 35 miliardë dollarë, që përkthehet në pothuajse 1 miliard dollarë në ditë. Raporti shton se vetëm gjatë dy ditëve të para të konfliktit, SHBA ka përdorur municione me vlerë rreth 5,6 miliardë dollarë, sipas informacioneve të raportuara nga zyrtarë të mbrojtjes në Kongres.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)