Dondald Trump u kujdes ta informonte botën mbarë se Presidenti i Veneuelës, Nicolas Maduro është ndaluar dhe është nxjerrë jashtë vendit nga forcat amerikane, së bashku me gruan e tij Celia Flores.
Në kushtet kur ende nuk konfirmohet vendndodhja e Maduros dhe pamjet e operacionit të arrestimit të tij s’janë publikuar ende, vëmendja po përqendrohet tek ajo se kush do ta qeverisë Venezuelën pas zhvillimeve të kësaj të shtune.
Sipas informacioneve, nuk do të ketë sulme të tjera amerikane në vend dhe Donald Trump do ta konsideronte veten të kënaqur me faktin që e ka larguar Maduron.
Por sipas BBC, kjo ngre pyetjen: ‘A do të mbetet chavizmi në pushtet pa Maduron?’.
Nëse kjo ndodh, janë tre figura që duhen ndjekur nga afër si zv/presidentja Delcy Rodríguez, ministri i Brendshëm Diosdado Cabello dhe ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino. Të tre u shfaqën në televizion disa orë pas sulmit dhe mund të marrin drejtimin e vendit.
Si Padrino ashtu edhe Cabello kanë ndikim të madh brenda ushtrisë, e cila mund të mbetet besnike ndaj njërës prej këtyre figurave. Roli i forcave të armatosura do të jetë vendimtar për të përcaktuar se kush do të marrë frenat e pushtetit.
Rodríguez, në krahasim, ka më shumë pushtet civil dhe ekonomik dhe nuk ka të njëjtin akses në radhët ushtarake si Cabello dhe Padrino.
Një tjetër e panjohur e madhe është se çfarë do të bëjë opozita, e udhëhequr nga María Corina Machado. Pas pretendimit të fitores në zgjedhjet e korrikut 2024, opozita po kërkon ndryshime reale politike dhe mund të mos kënaqet vetëm me largimin e Maduros nga pallati presidencial.
Ndërkohë, vlen të theksohet se SHBA-ja nuk ka bërë një ndërhyrje kaq të drejtpërdrejtë në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989 për të rrëzuar udhëheqësin e atëhershëm ushtarak Manuel Noriega.
Nëse Maduro është larguar me forcë nga Venezuela, siç thotë Trump, kjo do të shihet si një fitore e madhe nga disa figura më agresive brenda administratës amerikane, disa prej të cilëve kanë mbështetur hapur ndryshimin e regjimit.
SHBA-ja e ka akuzuar Maduron se drejton një organizatë kriminale të trafikut të drogës, gjë që ai e mohon. Ajo gjithashtu nuk e njeh atë si president legjitim të Venezuelës pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat u hodhën gjerësisht poshtë si jo të lira dhe jo të ndershme.
Nga ana e saj, Venezuela e ka akuzuar SHBA-në se dëshiron të vjedhë rezervat e saj fitimprurëse të naftës, të cilat mendohet se janë më të mëdhatë në botë.
Ajo që mbetet vërtet e paqartë është se çfarë do të ndodhë tani brenda vetë Venezuelës nëse Maduro vërtet është larguar.
Mbështetësit e ndërhyrjes amerikane kanë argumentuar se kjo do t’i hapte rrugë marrjes së pushtetit nga opozita venezueliane, e udhëhequr nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqen María Corina Machado ose nga kandidati i opozitës në vitin 2024, Edmundo González.
Megjithatë, të tjerë besojnë se kjo nuk do të ishte aspak kaq e thjeshtë. Ushtria dhe grupet paraushtarake në Venezuelë kanë mbetur besnike ndaj Maduros, dhe madje edhe disa kritikë të tij kanë pasur frikë se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë amerikane mund të çonte në destabilizim të mëtejshëm të vendit. Me siguri do të ketë edhe aleatë të tjerë të ngushtë të tij që do të kenë frikë për të ardhmen e tyre pas lajmit për kapjen e Maduros.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)