Mbretëria e Bashkuar ka refuzuar të lejojë Shtetet e Bashkuara që të përdorin bazat ushtarake britanike në Oqeanin Indian për një sulm të mundshëm kundër Iranit, duke zemëruar Donald Trump dhe duke tensionuar më tej marrëdhëniet e tij me Keir Starmer, në një kohë kur përgatitjet ushtarake në Lindjen e Mesme tregojnë shenja për një luftë.
Sipas informacioneve nga gazeta britanike Times, Londra ende nuk i ka dhënë Uashingtonit leje për të përdorur bazat e RAF për një sulm të mundshëm ndaj Teheranit, duke përmendur shqetësimet se një veprim i tillë mund të shkelë ligjin ndërkombëtar. Vendimi thuhet se ka shkaktuar pakënaqësi të fortë tek Presidenti i SHBA-ve Donald Trump.
Siç raportohet, mosmarrëveshja mbi përdorimin e objekteve ushtarake britanike është një formë për t’i kthyer reston Trumpit, pas tërheqjes së mbështetjes së tij për marrëveshjen e Kryeministrit britanik për t'ia dhënë Ishujt Chagos, Mauritiusit.
Shtëpia e Bardhë thuhet se po punon për një plan të detajuar ushtarak për një sulm ndaj Iranit, i cili do të përfshinte përdorimin e bazës Diego Garcia në Oqeanin Indian dhe RAF Fairford në Gloucestershire, ku flota e bombarduesve të rëndë amerikanë është e bazuar në Evropë.
Zyrtarët e mbrojtjes thuhet se e kanë informuar Trumpin se SHBA-të do të jenë gati për të luftë nga e shtuna, pas një përforcimi të konsiderueshëm të avionëve dhe anijeve amerikane në ditët e fundit. Me vendosjen e rreth 50 avionëve luftarakë shtesë, cisternave të furnizimit me karburant nga ajri dhe avionëve të tjerë në Lindjen e Mesme, asetet e disponueshme pritet të arrijnë nivelin e nevojshëm për të nisur sulme ajrore gjatë fundjavës.
Megjithatë, sipas marrëveshjeve afatgjata me Shtëpinë e Bardhë, bazat britanike mund të përdoren vetëm për operacione ushtarake për të cilat është rënë dakord paraprakisht me Downing Street. Sipas ligjit ndërkombëtar, nuk ka dallim formal midis një agresori dhe një vendi mbështetës, për sa kohë që ky i fundit ka "njohuri për rrethanat e një akti të paligjshëm ndërkombëtar".
Të martën në mbrëmje, Trump kontaktoi Starmer në lidhje me ultimatumin e tij ndaj Iranit në lidhje me programin e tij bërthamor. Të nesërmen, ai postoi një mesazh në platformën Truth Social duke kritikuar Mbretërinë e Bashkuar për planet e saj për të zgjidhur të ardhmen e Ishujve Chagos me Mauritiusin.
“Po i them Kryeministrit Keir Starmer të Mbretërisë së Bashkuar se kontratat me qira nuk janë një ide e mirë kur bëhet fjalë për vende dhe se ai po bën një gabim të madh duke hyrë në një kontratë qiraje 100-vjeçare me këdo që ‘pretendon’ të drejtat, titullin dhe interesin në bazën strategjike të Diego Garcias në Oqeanin Indian”, shkroi presidenti amerikan.
Ai shtoi se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje, “mund të jetë e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të përdorin bazën Diego Garcia dhe aeroportin në Fairford për të penguar një sulm të mundshëm nga një regjim veçanërisht i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)