E quajtur tashmë “lugina e dinozaurëve”, ky vend unik u zbulua krejt rastësisht nga fotografi i natyrës Elio Della Ferrara, i cili gjatë një shëtitjeje për të fotografuar drerë dhe shkaba, vuri re një mur shkëmbor të mbushur me gjurmë të mëdha këmbësh. Disa prej tyre arrijnë deri në 40 centimetra diametër dhe shfaqin qartë shenja gishtash dhe kthetrash.
Pas njoftimit të paleontologut Cristiano Dal Sasso nga Muzeu i Historisë Natyrore në Milano, nisi menjëherë një studim shkencor. Sipas tij, bëhet fjalë për një nga depozitat më të rëndësishme të gjurmëve fosile të Triasikut në botë, për shkak të dendësisë së jashtëzakonshme të tyre, deri në 4-6 gjurmë për metër katror, çka tregon se dinozaurët lëviznin në tufa të mëdha.
Zona shtrihet përgjatë rreth pesë kilometrave dhe përfshin me mijëra gjurmë të ruajtura. Për shkak të terrenit të vështirë dhe lartësisë nga 1.800 deri në 2.400 metra, studiuesit planifikojnë të përdorin dronë për hartëzimin e plotë të zonës. Ekspertët besojnë se ky vend do të shërbejë si një laborator natyror i hapur për kërkime shumëvjeçare mbi sjelljen shoqërore të dinozaurëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)