Qyteti piktoresk i Nordlingenit në Bavari të Gjermanisë, pjesë e njohur e “Rrugës Romantike”, fsheh një histori të jashtëzakonshme nën themelet e tij. Sipas studimeve shkencore, në ndërtimet dhe muret rrethuese të qytetit ndodhen rreth 72 mijë tonë diamante mikroskopike, të padukshme për syrin e lirë, por me një vlerë të jashtëzakonshme shkencore dhe historike.
Origjina e këtij fenomeni të rrallë daton miliona vite më parë, kur një asteroid i vogël goditi zonën e sotme të Bavarisë, duke krijuar një krater me diametër rreth 14,5 kilometra, pothuajse sa vetë qyteti. Përplasja me shpejtësi të madhe çoi në formimin e një shkëmbi të quajtur “suevit”, i përbërë nga mikrodiamante, kristale, xham dhe mbetje të tjera kozmike.
Kur kolonët filluan të ndërtonin Nordlingenin rreth vitit 898 pas Krishtit, ata nuk kishin asnjë dijeni se po ngrinin shtëpi dhe objekte tregtare mbi zonën me përqendrimin më të madh të diamanteve në Tokë. Për shekuj me radhë, banorët besonin se krateri kishte origjinë vullkanike dhe e përdorën si material ndërtimi.
Shumë nga ndërtesat simbol të qytetit janë ndërtuar me këtë gur unik, përfshirë kishën dhe kullën e saj të famshme “Daniel”, e cila përmban rreth 5 mijë karatë mikrodiante. Edhe pse këto diamante nuk kanë vlerë tregtare, ato përbëjnë një kuriozitet të rrallë shkencor.
Në vitet 1970, Nordlingeni u përdor edhe për stërvitjen e astronautëve të misioneve Apollo 14 dhe 17, për shkak të ngjashmërisë së terrenit me sipërfaqen e Hënës. Qyteti ka shërbyer gjithashtu si skenë filmike, duke u shfaqur në pamjet ajrore të filmit “Willy Wonka dhe fabrika e çokollatës”, duke e bërë historinë e tij edhe më magjepsëse.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)