Lista e problemeve shëndetësore nga të cilat vuante Ötzi, i ashtuquajturi “njeriu i akullit” që jetoi më tepër se 5 mijë vjet më parë në Alpe, në kufirin mes Italisë dhe Austrisë, po zgjerohet edhe më tej.
Përveç frakturave të kockave, parazitëve të zorrëve, kariesit në dhëmbë, kolesterolit të lartë dhe intolerancës ndaj laktozës, me shumë gjasë ai ishte i infektuar edhe me Virusi i Papillomës Njerëzore HPV16, një prej varianteve përgjegjëse për disa lloje kanceresh gjenitale dhe të fytit.
Gjurmë të këtij virusi janë identifikuar në materialin gjenetik të nxjerrë nga mumja e Ötzit, si edhe nga mbetjet e një individi tjetër të njohur si Ust-Ishim, një Homo-sapiens që jetoi rreth 45 mijë vjet më parë në Siberinë Perëndimore.
Studimi është realizuar nga biologë të Universitetit Federal të San Paulos në Brazil dhe është publikuar në platformën shkencore “bioRxiv”. Rezultatet nuk janë ende të rishikuara nga komuniteti shkencor, por nëse konfirmohen, ato mund të plotësojnë një boshllëk të rëndësishëm në historinë e evoluimit të viruseve onkogjene, duke treguar se bashkëjetesa e tyre me njeriun daton që në lashtësi.
“Ne kemi provën më të vjetër të pranisë së HPV-së”, deklaron Juliana Yazigi, eksperte e bioinformatikës dhe përgjegjësja e studimit. “Është një zbulim jashtëzakonisht interesant”, ka komentuar për revistën “Science” biologu i gjeneve, Ville Pimenoff nga Universiteti i Oulusë në Finlandë, i cili nuk ka qenë i përfshirë në studim. “Homo sapiens - përfundon ai - ka qenë praktikisht i infektuar nga këto viruse gjatë gjithë ekzistencës së tij”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)