Një grusht njerëzish zotërojnë pasuri më të madhe se gjysma e njerëzimit e marrë së bashku. Bëhet fjalë për vetëm 12 persona, të ardhurat e të cilëve janë më të larta se afro 4 miliardë njerëz në botë. Pabarazia globale po përshpejtohet. Miliarderët po e rrisin pasurinë me 16,2 për qind në vit, duke përqendruar gjithnjë e më tepër pushtetin politik dhe kontrollin e mediave.
Sipas raportit vjetor të “Oxfam”, të publikuar në prag të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në vitin 2025 pasuria totale e pasanikëve arriti një rekord historik prej 18,3 miliardë dollarë. Gjithçka në një kohë, kur një në katër njerëz nuk ka mjaftueshëm për tu ushqyer rregullisht dhe kur thuajse gjysma e popullsisë në botë jeton në varfëri.
Raporti thekson se vetëm në një vit, pasuria e tyre u rrit me ritëm tre herë më të lartë se mesatarja e pesë viteve të mëparshme. “Oxfam” paralajmëroi se ky përqendrim ekstrem i pasurisë përkthehet drejtpërdrejt në pushtet politik jo proporcional. Sipas raportit, një ultra-i pasur ka 4 mijë herë më shumë gjasa sesa një qytetar i zakonshëm të mbajë poste publike apo të ndikojë në vendimmarrje.
Në raport theksohej se uljet masive të taksave, liberalizimi teknologjik dhe përjashtimi i korporatave amerikane nga taksa minimale globale prej 15%, kanë kontribuar në thellimin e pabarazive sociale. Një tjetër alarm i rëndësishëm lidhet me kontrollin e mediave. Sot, miliarderët zotërojnë më shumë se gjysmën e mediave kryesore botërore, duke rrezikuar pluralizmin e informacionit.
Emra si Elon Musk, i cili është miliarderi i parë që ka kaluar kufirin e 500 miliardë dollarëve pasuri, Jeff Bezos apo Vincent Bolloré përmenden si shembuj të figurave që përbëjnë kërcënim për pavarësinë e medias. “Pabarazitë ekonomike dhe politike mund të përshpejtojnë erozionin e të drejtave dhe sigurisë së njerëzve me një ritëm alarmues”, deklaroi drejtori ekzekutiv i “Oxfam”, Amitabh Behar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)