Në një ishull të izoluar në Liqenin e Prespës, në anën e Maqedonisë së Veriut, popullata e breshkave Hermann është jashtëzakonisht e pabalancuar. Sipas një studimi të botuar në revistën Ecology Letters rezulton se për çdo femër ka 19 meshkuj dhe ky raport po e çon gradualisht popullatën lokale drejt zhdukjes.
Ishulli Golem Grand në Liqenin e Prespës është i pabanuar dhe është shtëpia e rreth 1,000 specieve. Peizazhi karakterizohet nga një pllajë e pyllëzuar e rrethuar nga shkëmbinj të pjerrët.
Kur ekologu Dragan Arsovski nga Shoqëria Ekologjike e RMV-së filloi të studionte popullatën në vitin 2008, fotografia tregonte një komunitet të dendur dhe në dukje të shëndetshëm, raporton Neë York Times.
Megjithatë, tashmë është vërtetuar se meshkujt e rritur janë jashtëzakonisht të shumtë në numër. Në numërimin më të fundit, kishte 19 meshkuj për çdo femër në pllajë dhe studiuesit vunë re se breshkat meshkujt, në përpjekjen për të kënaqur instinktet e tyre riprodhuese, shpesh hipnin mbi njëri-tjetrin.
Megjithatë, me kalimin e viteve, hulumtimi zbuloi një realitet më shqetësues. Breshkat femra dukeshin më të vogla në madhësi dhe kishin një jetëgjatësi më të shkurtër. Për më tepër, "zinxhirët" e çiftëzimit që fillimisht dukeshin komikë rezultuan se në të vërtetë përbëheshin nga shumë meshkuj që ndiqnin një femër të vetme.
Kur femra është e rraskapitur, situata shndërrohet në një grumbullim kaotik zvarranikësh. Siç e tha Arsovsky, "ajo fjalë për fjalë varroset nën meshkuj".
“Si pjesë e sjelljes së tyre të çiftëzimit, meshkujt shtyjnë dhe kafshojnë, madje ndonjëherë deri në atë pikë sa shkaktojnë humbje gjaku, hipin dhe në fund godasin vazhdimisht femrat që përpiqen të shpëtojnë me majën e mprehtë të bishtit të tyre", vërehet në studim.
Efektet janë të rënda, pasi tre të katërtat e femrave të ishullit kanë pësuar lëndime gjenitale. Në disa raste, femrat thuhet se janë hedhur nga shkëmbinjtë e ishullit, një fakt që studiuesit ia atribuojnë ngacmimit intensiv dhe të vazhdueshëm nga meshkujt.
Shkencëtarët arrijnë në përfundimin se presioni i vazhdueshëm i ushtruar nga meshkujt e shumtë ka zvogëluar në mënyrë drastike shanset e femrave për mbijetesë dhe riprodhim, duke rrezikuar të ardhmen e të gjithë popullsisë së breshkave në ishull.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)