Një nismë e pazakontë është ndërmarrë në veri të Italisë, ku autoritetet vendore po kërkojnë qytetarë me nuhatje të mprehtë për të identifikuar burimin e aromave të pakëndshme në zonë. Bëhet fjalë për qytetin Brendola, në provincën Viçencës, i cili ka nisur rekrutimin e një ekipi prej gjashtë “vlerësuesish të aromave”.
Kryebashkiaku Bruno Beltrame tha se iniciativa vjen pas ankesave të banorëve që jetojnë pranë zonave industriale, të cilët kanë raportuar erëra të forta dhe të pakëndshme. Kandidatët nuk duhet të vuajnë nga alergji apo sëmundje respiratore si astma. Gjithashtu, ata duhet të kenë automjet dhe telefon inteligjent, për të regjistruar të dhënat përmes një aplikacioni të posaçëm.
Sipas planit, në momentin që konstatojnë një erë të dyshimtë, pjesëtarët e ekipit do të analizojnë ajrin dhe më pas do të hedhin vlerësimet e tyre në aplikacion. Projekti do të zgjasë gjashtë muaj dhe synon të përcaktojë origjinën e aromave.
Beltrame kujtoi se një hetim i ngjashëm ishte zhvilluar edhe pesë vite më parë, duke identifikuar disa kompani përgjegjëse për ndotjen. Provinca e Vicenzës ndodhet në luginën e lumit Po, një nga zonat më të ndotura në Evropë për cilësinë e ajrit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)