Tommy Graves, 32 vjeç, nga Bermondsey në Londër, ka ndarë historinë e tij tronditëse pasi privimi ekstrem i gjumit e çoi në një episod maniak me psikozë, duke e bërë të besonte se jetonte në një realitet të ngjashëm me filmin The Truman Show. Ai përfundoi në një spital të shëndetit mendor pasi kaloi tetë ditë pa fjetur.
Graves tregon se gjithçka nisi gjatë punës intensive për një projekt bamirësie në ndihmë të të pastrehëve. Entuziazmi, stresi dhe fluksi i ideve e bënë gjithnjë e më të pamundur gjumin. “Truri im nuk fikej. Idetë bëheshin gjithnjë e më ekstreme”, shpjegon ai. Brenda pak ditësh, objektivi i mbledhjes së fondeve u rrit në mënyrë jorealiste nga 100 paund në 66 milionë paund.
Gjendja e tij u përkeqësua deri në psikozë. Edhe pse ishte koherent në të folur, Graves “nuk kishte sens realiteti”. Familja e dërgoi me ambulancë në spital psikiatrik. Aty, ai ishte i bindur se ndodhej në një studio televizive dhe se çdo veprim i tij transmetohej live. Ai këndonte, kërcente dhe bënte akrobaci, duke besuar se po “fitonte një Oscar”.
Pas përdorimit të medikamenteve, Graves më në fund arriti të flinte. Mjekët i shpjeguan se kishte përjetuar një episod maniak me psikozë, i shkaktuar nga stresi dhe mungesa e gjumit. Ai kaloi javë të tëra “duke u kthyer në realitet”.
Pas daljes nga spitali, jeta e tij ishte e tronditur dhe ai u përball me ndjenja turpi dhe ankthi. Me këshillën e mjekëve, Graves iu përkushtua përmirësimit të higjienës së gjumit. Për dy vite studioi teknika për një regjim të qëndrueshëm dhe në prill 2025 u kualifikua si trajnues për një gjumë të mirë.
Sot ai mban orare fikse të fjetjes dhe zgjimit, shmang netët e vona dhe zhvillon workshop-e për biznese e komunitete, duke promovuar rëndësinë e gjumit për shëndetin mendor. “Nuk është të heqësh dorë nga argëtimi, por ta bësh në kohën e duhur”, thotë Graves.
Ekspertët theksojnë se pagjumësia lidhet me stresin, ankthin, kafeinën, alkoolin dhe punën me turne. Mbajtja e orareve të rregullta, aktiviteti fizik dhe një ambient i qetë për gjumë konsiderohen hapa kyç për parandalimin e problemeve serioze shëndetësore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)