Kosova shënon sot 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj.
Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në një mbledhje të jashtëzakonshme Kryeministri Hashim Thaçi shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ditën e sotme autoritetet kosovare kanë përgatitur një sërë aktivitetesh përkujtimore që nisën me ngritjen e Flamurit të Republikës së Kosovës përpara godinës së qeverisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Më pas kreu i qeverisë, Albin Kurti mbajti mbledhjen solemne të qeverisë, gjatë së cilës, kryeministri nuk harroi të fliste dhe për ish-krerët e UÇK që po gjykohen në Hagë.
Sipas Kurtit, shpallja e Pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa përmendur kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit.
“Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, tha ai.
Pjesë e agjendës së ceremonive janë dhe homazhet te Monumenti i të Pagjeturve, Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.
Në mbrëmje do të organizohet pritja shtetërore dhe koncerti solemn në Filarmonia e Kosovës.
Ndërkohë që gjatë ditës së sotme pritet të mbahet dhe një manifestim i madh në Prishtinë në mbështetje të ish-liderëve të UÇK që po gjykohen në Hagë, për të cilët Prokuroria Speciale ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin.
Sipas organizatorëve, pritet që pjesëmarrja në këtë manifestim të jetë shumë e madhe.
Në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën nuk kanë munguar dhe mesazhet e urimit nga liderët botërorë, mes të cilëve dhe presidenti i SHBA, Donald Trump, apo ai italian, Sergio Mattarella.
Edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit shprehu mes të tjerash mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës, si dhe falënderoi partnerët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
Teksa kryeministri Edi Rama zgjodhi të postonte foto nga aktivitetet e djeshme në Prishtinë për të uruar 18 vjetorin e pavarësisë. Kreu i qeverisë, gjithashtu bëri me dije se nuk do të jetë i pranishëm në tubimin në mbështetje të ish-liderëve të UÇK.
Ndërkohë që mesazhe urimi kanë bërë dhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kreu i PL, Ilir Meta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)