Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është kthyer sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Platforma “Liria ka Emër” njoftoi se pas “burgosjes” simbolike të monumentit me kangjella hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes atij iu vendosën 5000 emblema magnetike të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Sipas komunikatës, aktivistët e platformës, të cilët një natë më parë e rrethuan monumentin me hekura metalike duke e shndërruar në një imazh burgu, e kanë mbuluar sot atë me emblemat e UÇK-së, si simbol reagimi qytetar.
Eliza Hoxha nga organizata “Liria ka Emër” deklaroi se ky aksion është një reagim ndaj asaj që ata e konsiderojnë padrejtësi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas saj, proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së po perceptohen si tendencë për rishkrim të historisë dhe cenim i luftës për liri, si dhe i themeleve të shtetit të Kosovës.
Ajo theksoi se NEWBORN-i, simbol i 17 Shkurtit dhe i lindjes së Republikës së Kosovës, është përfshirë në këtë aktivitet për të pasqyruar ndjenjën e padrejtësisë që, sipas tyre, qytetarët dhe vendi po përjetojnë përballë proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka ndarë në rrjetet sociale disa fotografi nga monumenti në Prishtinë.
“RESPEKT. Pas ‘burgosjes’ simbolike me një grilë hekuri të përkujtimores së mirënjohur NEWBORN, me mbishkrimin ‘Kosova e burgosur’, sot aktivistët kanë vendosur 5000 emblema të UÇK-së”, ka shkruar Rama në Facebook, duke shoqëruar postimin me pamje nga aksioni në kryeqytetin e Kosovës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)