“Krerët e UÇK akuzohen padrejtësisht”, Kurti: Serbia i do eurot nga BE, por orientimin e ka nga Kremlini

Kryeministri Kurti i quajti të padrejtat akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK të ngritura në Hagë. Në përkujtimin e 18 vjetorit të pavarësisë, Kurti u shpreh se integrimi mbetet prioritet.

17.02.2026. 11:38

“Krerët e UÇK akuzohen padrejtësisht”, Kurti: Serbia i do eurot nga BE, por orientimin e ka nga Kremlini

Kryeministri Albin Kurti i quajti edhe njëherë të padrejta akuzat e ngritura për krime lufte nga Prokuroria e Hagës ndaj ish-liderëve të UÇK.

Në fjalën e tij përshëndetëse në seancën solemne të Kuvendi të Kosovës për 18 vjetorin e Pavarësisë, kreu i qeverisë shtoi se populli i Kosovës mori armët për t’u mbrojtur teksa akuzoi Serbinë për krime të rënda.

“Ne kujtojmë sot UÇK. Përkulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi ta lartësojmë republikën dhe në emër të tyre. Brengosemi që krerët e UÇK akuzohen padrejtësisht se morën armët kundër një regjimi gjenocidial. Akuzat për krime kundër njerëzimit nuk ekzistojnë. Krime kundër njerëzimit ka bërë regjimi i Miloshevicit. Republika nuk lëshon pe për sovranitetin dhe integritetin territorial. Kushtetuta jonë i njeh minoritetet, janë pjesë e popullit dhe marrin pjesë në zgjedhje”, tha Kurti.

Kryeministri gjithashtu foli dhe për qeverinë e re dhe për programin e saj për të forcuar më shumë ekonominë dhe shtetin e së drejtës.

“Zgjedhjet e fundit demokratike treguan vlerën e demokracisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Qeveria e re do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin ekonomik për forcimin e sigurisë dhe arsim e kulturë. Do të jemi më konkurrues në rajon e më gjerë. Do të rrisim kapacitetet mbrojtëse për FSK. Po renditemi gjithnjë e më lartë për sundim ligji, klimës së investimeve, sigurie etj..” shtoi ai.

Përsa i përket integrimit, Kurti u shpreh se Kosova do të çojë përpara ambiciet për anëtarësim në NATO dhe BE dhe do të forcojë marrëdhëniet me perëndimin dhe fqinjët, ndërsa akuzoi Serbinë se orientimin e saj e ka nga Kremlini.

“Duhet të forcojmë aleancat me vendet perëndimore. Në Mynih, SHBA-të dhe BE konfirmuan se vlerat euroatlantike mbeten të njëjta. Ne jemi të vendosur të vijojmë rrugën e integrimit në NATO e BE. Jemi gati të kontribuojmë për sigurinë kolektive në rajon dhe Evropë. Do të vazhdojmë të mbështetemi te SHBA, Britania, Franca, Turqia, Kanadaja e Japonia. Do bashkëpunojmë dhe me ato vende të BE që nuk na kanë njohur.

Do punojmë për njohje të reja. Në Ballkan mbetet kyç bashkëpunimi me Shqipërinë, RMV dhe Malin e Zi. Aleanca e mbrojtjes me Kroacinë dhe Shqipërinë një element plus për rritjen e sigurisë. Jemi partnerë të besueshëm të vendeve demokratike”, përfundoi Kurti.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)