BE i heq masat Kosovës, Rama ndërhyn teksa Osmani po jepte lajmin

Kosova ka siguruar heqjen e plotë të masave të vendosura nga Bashkimi Europian, një vendim që u konfirmua në përfundim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, duke hapur rrugën edhe për zhbllokimin e fondeve europiane.

18.12.2025. 08:59

BE i heq masat Kosovës, Rama ndërhyn teksa Osmani po jepte lajmin

Nga Brukseli, Vjosa Osmani ka deklaruar se deri në fund të janarit do të hiqen të gjitha masat e vendosura nga BE ndaj Kosovës.

Presidentja e Kosovës sqaroi se procesi i heqjes së masave do të realizohet në dy faza. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e masave do të hiqet menjëherë, ndërsa pjesa e mbetur pritet të përfundojë në fund të muajit janar.

“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, deklaroi Osmani.

Gjatë njoftimit të vendimit, përmes një video u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përgëzoi presidenten Osmani për rezultatin e arritur dhe e cilësoi vendimin si një hap pozitiv për Kosovën dhe rajonin.

Nga ana e saj, Osmani e falënderoi Ramën për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë në procesin e lobimit, duke theksuar rolin e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë në arritjen e këtij rezultati.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)