Nga konferenca tradicionale vjetore e ambasadorëve, Vuçiç, tha se shumë gjëra po ndodhin në rajon dhe sipas tij armatosja e krijimi i aleancave ushtarake bëhen për t’i dalë kundër Serbisë. Ai po ashtu shprehu shqetësimin pse aktorë të mëdhenj sipas tij nuk reagojnë për këtë çështje.
“Papritmas, ka takime të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, të cilat të gjithë i injorojnë dhe thonë: ‘Kë do të sulmojnë?’. Është e sigurt që nuk e bënë aleancën për lajme në gazeta. Përkundrazi. Dhe kur fola me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe kur fola me njerëzit në BE, të gjithë ngritën supet”, tha Vuçiç.
Sipas Presidentit serb pasojat e kësaj mund të shihen sot nga fakti që amerikanët “po i armatosin pa mëdyshje dhe hapur shqiptarët në Kosovë dhe Metohi”.
"Pyetja ime është, kundër kujt drejtohet, nga kush duhet të mbroheni?", shtoi Vuçiç.
Për të dërgesa e shpejtë e obusëve 105 mm dhe gjithçka tjetër ka vetëm një qëllim të vetëm, i cili është kërcënimi i drejtpërdrejtë i Serbisë dhe integritetit të saj territorial. Madje Vuçiç shkoi edhe më tej duke pretenduar se do të ketë sulme ndaj popullsisë civile dhe strukturave ushtarako-policore të Serbisë.
“Nuk ka qëllim tjetër. Pse ka kaq shumë armatim në Republikën e Kroacisë? Një fushatë e vazhdueshme dhe e përhershme kundër Republikës së Serbisë dhe kundër popullit serb dhe të gjithë përfaqësuesve të Serbisë? Pyetja ime është kundër kujt drejtohet, nga kush duhet të mbroheni? Mendoj se NATO është mjaft e fortë për të mposhtur gjithmonë dhe në çdo moment një Serbi të vogël. Serbia vështirë se do të guxonte, dhe në të njëjtën kohë ata e dinë se nuk është politika jonë të sulmojmë askënd në rajon? Pse qindra blinda të reja, 18 Cezarë të rinj, aeroplanë, armë kundërajrore dhe gjithçka tjetër? Nuk besoj për shkak të Austrisë, e cila është ushtarakisht neutrale, vetëm në letër. Sigurisht, kjo është e qartë për të gjithë se duhet të jetë për shkak të Serbisë”, tha Vuçiç.
Presidenti serb po ashtu u ankua se Beogradi nuk ka marrë kurrë mbështetjen e fuqive të mëdha kur kohërat ishin të vështira.
“Kur ishte e vështirë për ne, nuk morëm mbështetje nga fuqitë e tjera të mëdha, as në Lindje dhe as në BE. Çdokush prej tyre mund të kishte thënë në ato momente: ‘Jemi këtu me ju, jemi këtu për ju’. Asnjëri prej tyre nuk e bëri këtë, secili kishte arsyet e veta për presion, duke pritur edhe më shumë nga Serbia, duke kërkuar shumë, duke mos dhënë asgjë. E kuptuam mirë këtë mesazh. Ky është një mësim për ne se duhet të ndërtojmë forcën tonë, të kujdesemi për veten tonë, për askënd tjetër, dhe të jemi shumë egoistë në këtë drejtim. Të përpiqemi të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur për popullin dhe qytetarët tanë, pa menduar nëse dikush tjetër do të jetë i kënaqur me ne apo jo. Nuk mund t'ju përshkruaj sa shumë nuk më intereson se çfarë mendojnë të gjithë për ne, çfarë do të më thonë dhe me çfarë mjetesh do të ushtrojnë presion. Ajo kohë ka kaluar. Është mirë që ata treguan se çfarë mendojnë për ne dhe çfarë duan për ne në momentet më të vështira për vendin tonë”, deklaroi Vuçiç.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)