Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka konfirmuar se vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2026, duke përmbushur kështu kërkesën kryesore të opozitës dhe të studentëve që prej muajsh po protestojnë në sheshet e qyteteve të Serbisë.
Njoftimi i kreut të shtetit vjen pas nismës së studentëve për mbledhjen e nënshkrimeve në mbarë vendin, me synimin shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në deklaratën e tij, Vuçiç i ka akuzuar protestuesit për përpjekje destabilizuese, duke i krahasuar ngjarjet me revolucionin “Maidan” në Ukrainë. Sipas tij, bllokimet e rrugëve dhe protestat synonin krijimin e kaosit dhe pushtimin e institucioneve shtetërore.
“Bllokuesit e rrugëve donin të krijonin, si në Ukrainë, një ‘Maidan’, duke futur vendin në kaos me pushtimin e ndërtesave të Presidencës dhe Asamblesë Kombëtare. Ata do të kishin pasur sukses, po të mos kishte pasur rezistencë popullore”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb theksoi se pushteti ka pranuar kërkesën kryesore të protestuesve, por u shpreh i bindur për fitoren e forcave në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.
“E kemi pranuar kërkesën e tyre kryesore. Vitin e ardhshëm do të shkojmë në zgjedhje parlamentare, por ata nuk do të jenë aq të lumtur kur të numërojnë votat. Do të shkojmë në zgjedhje për t’i mposhtur kundërshtarët tanë politikë, që janë pa program dhe pa ide në çdo qytet të Serbisë”, deklaroi ai.
Vuçiç shtoi se gjatë muajve të fundit janë organizuar mijëra tubime të paligjshme, duke akuzuar protestuesit se kanë rrezikuar sigurinë publike.
“U organizuan më shumë se 25 mijë tubime të paligjshme. Ata bllokuan trafikun dhe u përpoqën që të kishte viktima. Zgjedhjet nuk fitohen me gënjeshtra, por me punë të vërtetë, duke luftuar për qytetarët dhe për popullin e Serbisë”, përfundoi presidenti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)