Tragjedia në fabrikën e biskotave në Greqi, arrestohet pronari

Është vënë në pranga pronari dhe dy drejtues të fabrikës së biskotave në Greqi, ku një ditë më parë 5 punonjëse humbën jetën nga një shpërthim.

Burimi: Protothema

27.01.2026. 20:28

Tragjedia në fabrikën e biskotave në Greqi, arrestohet pronari

Pronari i fabrikës “Violanta” dhe dy drejtues të tjerë të kompanisë së biskotave, përfshirë teknikun e sigurisë, u arrestuan pas shpërthimit dhe zjarrit që i kushtoi jetën pesë punonjëseve në Trikala të Greqisë. Ata përballen me akuza për vrasje nga pakujdesia, shkaktim të lëndimeve trupore, shpërthim dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur një shpërthim i fuqishëm në bodrumin e godinës qendrore i parapriu përhapjes së zjarrit në një pjesë të fabrikës. Hetimet paraprake sugjerojnë se shkaku mund të ketë qenë rrjedhje gazi në zonën e furrave.

Pavarësisht se fabrika kishte një studim të mbrojtjes nga zjarri të depozituar elektronikisht, rrethanat dhe masat e sigurisë duket se nuk mjaftuan për të parandaluar tragjedinë.

Familjarët dhe kolegët e viktimave kanë denoncuar se gjatë muajit të fundit ndjehej erë gazi brenda ambienteve, por paralajmërimet e punonjësve nuk u morën seriozisht. Një punonjëse që punonte në të njëjtin repart tha se nuk kishte ndjerë erë në momentin e shpërthimit dhe se zonat pranë furrave nuk u prekën, ndërsa viktimat ndodheshin disa metra larg.

Autoritetet po vijojnë ekspertizën në terren dhe mbledhjen e provave, ndërsa fabrika vazhdon të nxjerrë tym pas zjarrit. Hetimet do të përcaktojnë përgjegjësitë ligjore për një ngjarje që ka tronditur komunitetin dhe ka shkaktuar dhimbje të madhe familjarëve të pesë punonjëseve të humbura.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)