Serbia ka konfirmuar zyrtarisht se ka siguruar raketa supersonike kineze të tipit CM-400 AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që zotëron këtë sistem armësh.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se ushtria serbe tashmë ka një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe planifikon të rrisë më tej kapacitetet ushtarake në të ardhmen.
Sipas të dhënave ndërkombëtare për armët, vetëm Pakistani i ka blerë më parë këto raketa nga Kina, çka e bën Serbinë vendin e dytë në botë që i posedon.
Raketat CM-400 AKG konsiderohen armë me fuqi të lartë goditëse dhe me rreze veprimi që mund të arrijë deri në 200-400 kilometra, ndërsa në fazën përfundimtare të fluturimit ato arrijnë shpejtësi disa herë më të madhe se shpejtësia e zërit.
Sipas ekspertëve ushtarakë, këto raketa mund të përdoren për të goditur objektiva të largëta pa hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore të kundërshtarit, gjë që i bën shumë të vështira për t’u neutralizuar. Për këtë arsye ato konsiderohen edhe si një mjet i rëndësishëm parandalues në strategjinë ushtarake.
Vuçiç deklaroi se Serbia nuk ka synime sulmuese ndaj vendeve fqinje dhe se fuqizimi i ushtrisë synon vetëm rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)